Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bordi i RTK-së miraton nisjen e reformës në mediumin publik

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka miratuar sot nisjen e reformës në RTK.

“Bordi i RTK-së në mbledhjen e datës 3 maj me tetë vota për ka aprovuar kërkesën e Drejtorit të Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj për të nisur procesin e ristrukturimit dhe riorganizimit të brendshëm të RTK-së duke i hapur udhë kështu procesit të shumëpritur të reformës në RTK” – njofton ky bord.

Qëllimet e këtij procesi thuhet të jenë mundësimi i menaxhimit efektiv të administratës së transmetuesit publik, rritja e nivelit të prodhimit audioviziv dhe rritja e llogaridhënies karshi publikut, organeve vendimmarrëse dhe themeluese.

“Procesi i ristrukturimit dhe riorganizimit të brendshëm pason fazën e parë të skanimit të mënyrës se si funksionon transmetuesi publik mbi të cilin është përpiluar një raport që dëshmon se struktura aktuale organizative e RTK-së nuk funksionon në përputhje me kërkesat e tregut mediatik në Kosovë” – thuhet tutje në njoftim.

Hartimi i legjislacionit sekondar që do të bëhet në harmoni me legjislacionin vendor dhe evropian për mediat publike është një ndër hapat e parë të kësaj reforme, e cila do të monitorohet nga bordi i RTK-së.

Në këtë mbledhje bordi i RTK-së po kështu ka miratuar propozimet që i dërgohen Kuvendit të Kosovës për alternativat për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës së RTK-së si dhe modelet e financimit.

Këto propozime, sipas bordit janë një nismë e mirë për krijimin e financimit të qëndrueshëm të RTK-së, si dhe propozimet për definimin e pronës siç thotë bordi zgjidhin një ndër problemet më të mëdha të RTK-së dhe stafit të saj.

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, në mbledhjen e Komisionit për Media të mbajtur më 28 prill kishte thënë se bordi dhe menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës do të organizojë një punëtori me theks mbi reformën brenda mediumit publik, modelet e financimit dhe me një dokument që ka të bëjë me pronën.