Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bordi dhe menaxhmenti në punëtori për reformë brenda RTK-së

Bordi dhe menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës do të organizojë një punëtori me theks mbi reformën brenda mediumit publik, modelet e financimit dhe me një dokument që ka të bëjë me pronën.

Kështu bëri të ditur kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, në mbledhjen e Komisionit për Media.

Ai tha se gjatë kësaj punëtorie do të synohet të kenë një draft final për konceptin e reformës, i cili ka bazë kthimin e prodhimit në Radiotelevizionit të Kosovës.

“…do të shihen plot njësi dhe vende të punës të cilat janë të panevojshme dhe janë kriju për me marrë një pagë, ato anomali do të largohen”- tha ai.

Boletini tha se do të ketë një gjithpërfishrje në këtë punëtori, ai përmendi angazhimin e një kompanie të huaj që do t’iu ndihmonte në lidhje me organogramin e vendeve të punës.

“Ne jemi duke parë mundësitë që të kontraktojmë një kompani të huaj e cila do të merret me konceptimin e një organogrami, një koncepti se si do të dukej një transmetues publik”- tha ai.

Në mbledhjen e Komisionit për media në të cilën po diskutohet raporti vjetor i RTK-së, deputetët shtruan pyetje dhe çështje të ndryshme për bordin e RTK-së.

Deputeti Fitim Haziri nga Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga bordi të dijë rreth zbatimit të skemës programore të RTK-së e cila u miratua vitin e kaluar.

“Vitin e kaluar keni miratu një skeme të re programore. Si ka shku kjo skemë, a janë transmetu të gjitha emisionet. Në rast se jo, a është marrë masa ndaj dikujt”- tha Haziri.

Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se ka pasur ngecje në realizimin e skemës programore, por që ka përmirësime.

“Nuk është realizuar 100%. Ne i kemi evidentu problemet, kemi biseduar me autorët dhe janë hartuar raporte zyrtare për to. Kemi përmirësim të realizimit të kësaj skeme”- tha Ahmetxhekaj.

“Ne kemi kërku nga drejtori që të marrë masa ndaj atyre që kanë ngec në realizimin e skemës programore”- shtoi kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Boletini tha se gjatë vitit 2022 kanë dërguar tetë raste në prokurori dhe presin masa nga ta, ndërsa prezantoi në disa pika raportin vjetor.

“Janë tetë raste që ne konsiderojmë që kanë fakte të mjaftueshme dhe që i kemi dërgu në prokurori dhe po presim që prokuroria të marrë masa. Në vitin 2022 është përmbyll me 21% shkurtime në staf. Kanë qenë disa kontrata me shërbime të cilat kanë qenë të paligjshme që janë ndërprerë. Ideja ka qenë që të hiqen mbi punësimet dhe të bëhen investime kapitale. Kur janë largu këta persona ka mbet një hapësirë e madhe në RTK dhe ato pozita janë mbulu me staf të brendshëm” – tha ai.

Në mbledhjen e Komisionit për media është duke u shqyrtuar raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2022.