Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Foto: Departamenti Amerikan i Shtetit

Blinken dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të shtetit, duke u bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet.

“Autorët e këtij krimi duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”, tha Blinken përmes një deklarate raporton REL.

Blinken shkroi në platformën X, se i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i kthehen dialogut.

Ai shtoi se SHBA-të dënojnë ashpër sulmet e koordinuara të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës më 24 shtator dhe shprehin ngushëllime të thella për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës.

“Sulmet e fundit të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës janë të papranueshme. I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet që mund të nxisin më tej tensionet dhe t’i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga BE-ja.”

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Deklarata e plotë e sekretarit Blinken:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër sulmet e koordinuara të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës më 24 shtator dhe shprehin ngushëllime të thella për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës. Autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi nëpërmjet një procesi hetimor transparent.

Ne i bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për zbatimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Shtetet e Bashkuara e njohin dhe respektojnë rolin e Policisë së Kosovës si reaguese e parë në situata emergjente dhe krize.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë koordinimin e ngushtë të Policisë së Kosovës me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe me Forcën e NATO-s në Kosovë, veçanërisht në garantimin e sigurisë së civilëve në vendngjarje. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe të koordinohemi me të gjithë të përfshirët.