
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bislimi thotë se ka pengesa agresive për regjistrimin e shqiptarëve në Serbi, kërkon përfshirjen urgjente të OSBE-së
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka kërkuar përfshirjen urgjente të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në procesin e regjistrimit të popullsisë në Serbi në zonat ku jetojnë shqiptarët.
Sipas Bislimit, ka pengesa agresive për regjistrimin e shqiptarëve në Serbi.
“Ka pengesa agresive dhe të shënjestruara për regjistrimin e shqiptarëve në Serbi. Sidomos në Medvegjë, janë vetëm tre komisionerë që flasin shqip dhe të gjithë janë të vendosur në zona të pabanuara nga shqiptarët. Ka nevojë urgjente për përfshirjen e OSBE-së për t’i parandaluar këto manipulime” – ka thënë ai në Twitter.
Tutje përmes këtij reagimi, Bislimi u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të Medvegjës të regjistrohen masivisht në javët në vijim.
1/2 Aggressive and targeted obstacles for registration of Albanians in Serbia. Especially in Medvegje, there are only three Albanian speaking surveyors & all of them allocated to areas not inhabited by Albanians. Need for urgent involvement of OSCE to prevent these manipulations.
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) October 11, 2022
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbi ka nisur më 1 tetor dhe do të zgjasë deri më 31 tetor.
Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Për herë të fundit, ata kanë marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2002, i cili është zhvilluar nën monitorimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të 2002-ës, kanë qenë 88.966 qytetarë të regjistruar, prej tyre 57.737 shqiptarë, apo 65 për qind.
Ndarazi në komuna, Presheva ka pasur shumicë shqiptare 90%, Bujanoci 55% dhe Medvegja 26%.