Bislimi takoi sekretaren franceze Bonne

Integrimi europian, sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit si dhe dialogu me Serbinë kanë qenë disa nga temat të cilat dje zëvendëskryeministri për dialog Besnik Bislimi i ka diskutuar me Sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone.

Në komunikatën për media të qeverisë bëhet e ditur se  zëvendëskryeministri Bislimi në këtë takim ka prezantuar tre shtyllat e mandatit të tij: integrimin europian, zhvillimin dhe dialogun.

“Në lidhje me integrimin europian, ai theksoi se Republika e Kosovës mirëpret planin e ri për zgjerim dhe se mbetet e përkushtuar maksimalisht për hapa të rëndësishme përpara në këtë proces. Procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci e shpërndarje të barabartë për të gjitha shtetet”- thuhet në komunikatë.

Bislimi poashtu ka bërë të ditur se Kosova është tashmë në vitin e 7-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe gjendet e përgatitur institucionalisht për marrjen e pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Tutje sipas komunikatës Bslimi i ka thënë sekretares franceze Bonne se “në zhvillim ekonomik, vendi ynë ka dëshmuar se përtej barrierave me të cilat është përballur, ka arritur rritje ekonomike e të performojë pozitivisht në rankime e matje ndërkombëtare”.

Ndërsa sa i përket procesit të dialogut, Bislimi ka thënë se Kosova në vazhdimësi ka qenë palë konstruktive.

“Ndërkohë, përmes shkeljeve të shumta të Marrëveshjes Bazike, Serbia ka dëshmuar se është palë bllokuese në këtë proces. Në mesin e këtyre shkeljeve, ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, duke cenuar nenin 4 të Marrëveshjes Bazike. Po ashtu, Serbia refuzoi dhe nënshkrimin e marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit”- thuhet tuje në komunikatë.

Në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit, sipas komunikatës Bislimi ka theksuar  se ishte një akt agresioni i një shteti kandidat për anëtarësim në BE, kundër një kandidati ende potencial për anëtarësim.

Në përfundim u diskutua dhe mbi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale me Francën dhe mundësitë për thellimin e tyre.

Në komunikatë bëhet e ditur se paraprakisht zëvendëskryeministri Bislimi ka pasur një takim dhe me të dërguarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, ku vlerësoi lartësisht kontributin e angazhimin e Francës në rajon.

Prezent në këto takime ishin dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, dhe Zëvendës Drejtori i Departamentit për Ballkan në Ministrinë për Europë dhe Punë të Jashtme të Francës, Nicolas Faye.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka filluar dje vizitën e tij zyrtare në Francë.

Zëvendëskryeministri Bislimi nis vizitën zyrtare në Francë