Zëvendëskryeministri Bislimi nis vizitën zyrtare në Francë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Francë.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e qeverisë, gjatë qëndrimit në Francë Bislimi do të takohet me Sekretaren e Shtetit për çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone, diplomatë nga shtetet anëtare dhe deputetë të Parlamentit francez.

Vizita e Bislimit në Francë vie pas një deklarate të presidentit francez Emmanuel Macron për vizat e cila në Kosovë shkaktoi huti.

Deklaratat e presidentit Macron u përkthye sikur shteti francez pezulloi vizat për Kosovën, mirëpo në fakt kjo gjë më vonë u kuptua se nuk ka qenë e tillë.

Ambasada e Francës në Kosovë në një përgjigje për KALLXO.com është deklaruar lidhur me këtë.

“Ai (Emmanuel Macron) bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”- thuhet në përgjigjen e tyre.

 

Deklarata e presidentit francez për liberalizimin e vizave shkakton huti, institucionet e Kosovës s’e thonë asnjë fjalë