Foto: ZKM

Bislimi takohet me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, e informon për takimin e fundit në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Sipas njoftimit, Bislimi e informoi atë mbi takimin e fundit të mbajtur në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve dhe procesin e dialogut.

Ai theksoi se Republika e Kosovës vazhdon të mbetet konstruktive e aktive në proces, e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe për njohje reciproke, thuhet në njoftim.

Ndërsa është bërë e ditur se në takim u bisedua mbi situatën e sigurisë në vend, e ku u theksua kontributi i kontingjentit britanik brenda KFOR-it.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Bislimi e falënderoi ambasadorin Abbott për takimin e frytshëm, si dhe shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën.