Trajnimi në Prishtinë, Foto: KALLXO.com

BIRN mban trajnim mbi metodologjinë e verifikimit të fakteve në Prishtinë

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka mbajtur në Prishtinë trajnimin me 22 gazetarë dhe studentë të gazetarisë mbi metodologjinë e verifikimit të fakteve.

Në pjesën e parë të trajnimit është ligjëruar për standardet e IFCN dhe bazat e vërtetimit të fakteve, njohjen me dallimet në mes dezinformatës, lajmit të rremë, deep fake dhe formateve të tjera të prodhimit të lajmeve të rreme.

Pjesa e dytë e trajnimit i është dedikuar identifikimit të lajmeve të rreme dhe narrativave të dëmshme në media dhe ndërtimi i mekanizmave të debunking brenda redaksive.

Ndërsa në pjesën e tretë pjesëmarrësit në trajnim kanë pasur mundësinë të praktikojnë së bashku me ligjëruesit identifikimin e lajmeve të rreme.

Ligjërues të këtij trajnimi kanë qenë Kreshnik Gashi, një nga autorët e emisionit “KallxoPernime”, redaktor përgjegjës në KALLXO.com dhe përfaqësues i KALLXO.com në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Visar Prebreza, redaktor përgjegjës për hulumtime dhe krypometra në KALLXO.com.

BIRN ka mbajtur edhe dy trajnime të njëjta në Prizren dhe në Gjilan. Pas përfundimit të trajnimit të tretë, i cili është mbajtur në Prishtinë mbi metodologjinë e verifikimit të fakteve, BIRN do të shpallë një thirrje të hapur për të gjithë pjesëmarrësit e këtyre trajnimeve, të cilët do të kenë mundësinë të fitojnë një nga 10 bursat në vlerë 500 dollarëshe. Me këto bursa dhe nën mentorimin e redaktorëve të BIRN, ata do të realizojnë hulumtime apo analiza duke u bazuar në parimet e verifikimit të fakteve.

Ky trajnim është mbajtur në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”, i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Qëllimi i këtij projekti është të luftojë lajmet e rreme dhe dezinformatat, të ofrojë trajnime praktike për gazetarët aspirantë dhe të përmirësojë ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me gazetarinë profesionale duke krijuar një platformë që përdor të dhënat publike dhe burimet e kontrollit të fakteve.