Vizita e presidentit amerikan, Joe Biden në Ukrainë 20 shkurt 2023 – Foto: Presidenca ukrainase/ ueb-faqja zyrtare

Biden inkurajon Vuçiqin të bëjë 'edhe kompromise' me Kosovën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se e inkurajon Serbinë që të bëjë hapa përpara, “përfshirë edhe kompromise kur është e nevojshme”, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë nga afër me ju, me Prishtinën dhe me partnerët tanë nga BE-ja, për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, tha Biden.

Ai i bëri komentet në një mesazh urimi dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Serbisë.

Biden tha, po ashtu, se e inkurajon Serbinë që të vazhdojë të ecë përpara me promovimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Së voni, Qeveria e Kosovës nxiti reagim të ashpër nga SHBA-ja me një vendim që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Zyrtarë të administratës amerikane kërkuan tërheqjen e tij, duke paralajmëruar se çështja mund ta rrezikojë partneritetin me SHBA-në, dhe inkurajuan Kosovën që të angazhohet në dialog me Serbinë.

Në telegramin dërguar Vuçiqit, që e transmeton ueb-faqja e Presidencës serbe, Biden tha gjithashtu se Serbia, nën udhëheqjen e tij, i është bashkuar grupit të vendeve demokratike në Kombet e Bashkuara, që e dënojnë luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Është e rëndësishme që ne të mbetemi të bashkuar në dërgimin e mesazheve të fuqishme të mbështetjes për Ukrainën dhe në dënimin e luftës brutale që Rusia e ka zgjedhur vetë”, tha Biden.

Serbia ka votuar për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që e dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, por nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë./REL