Besnik Tahiri: Viti 2023, periudha më e dështuar e Kuvendit

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri e ka cilësuar vitin 2023 si periudhën me të dështuar të Kuvendit, duke adresuar një serë kritikash në drejtim të Qeverisë.

Këto deklarata i bëri pas mbledhjes së parë Kryesisë së Kuvendit për këtë sesion.

“Nëntë muaj të Kuvendit të vitit 2023 kanë qenë muajt dhe periudha më e dështuar dhe më më pak rezultate. Kemi një shumicë parlamentare që ka më shumë se 50% dhe i lus qytetarët të tregojn a ka ndonjë ligj qe është miratu dhe ka ndiku pozitivisht në jetën e tyre”- ka thënë ai.

Sipas tij, deputetët duhet të bëjnë gjithçka që në këtë sesion të ri Kuvendi të jetë efikas në disa çështje.

“Duhet të bëjmë gjithçka që të jetë e mundshme të jemi efikas në 2/3 tema të rëndësishme. Jemi duke punuar për një nismë legjislative e cila do të amandamenton ligjin për buxhet që lidhet me ligjin për paga. E dyta, jemi duke pritur të kemi vendim të Kushtetueses për pagën minimale në sektorin privat” – ka thënë ai.

Tutje ai ka folur edhe për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që pritet të mbahet me 14 shtator.

“Dialogu ashtu siç po e menaxhon Kurti po e mban Kosovën peng dhe në sanksione. Ai duhet të jep një sqarim pas 14 shtatorit se çfarë duhet të bej sepse ky pozicon ka kriju rrethana qe e mbajnë Kosovën prapa”- ka thënë ai.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka deklaruar se seanca e rregullt, e parë për këtë sezon është caktuar të jetë më 14 shtator.

Ndërkaq bëri të ditur se interpelanca e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me përgjegjësinë e tij me ambasadorin Martin Berisha, është shtyrë për një kohë tjetër. Partia Demokratike e Kosovës ka qenë ajo që e ka ftuar kryeministrin Kurti që të jap sqarime “për mos shkarkimin” e ambasadorit në Kroaci.