Besnik Tahiri: Taksën e heqim vetëm atëherë kur Serbia e njeh Kosovën

Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Besnik Tahiri ka thënë se taksa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës do të hiqet vetëm atëherë kur Serbia e njeh Kosovën. Tahiri e quajti tarifën si njërin prej vendimeve më të mëdha të partisë së Ramush Haradinajt.

“Taksa është vendimi më i madh që e ka marr Kosova pas vendimit të ushtrisë”, ka thënë ai gjatë debatit në mes partive politike mbi tarifën 100 për qind.

“Taksa hiqet vetëm atëherë kur Kosovën e njeh dhe për arsyen që e kemi vendosur”, tha Besnik Tahiri, kandidati për deputet i AAK-së.

Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si reagim ndaj lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar vazhdimisht suspendimin e kësaj mase për t’i lënë rrugë vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.