Besnik Tahiri: Ligji për Zyrtarët Publikë nuk duhet të miratohet

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Ligji për zyrtarët publikë nuk duhet të miratohet.

Kjo pasi, ai ka thënë se një nen i këtij ligji dëmton në esencë funksionimin e shërbimit civil.

“Ligji për zyrtarët publikë nuk duhet të kaloj sepse me dëmton në esencë funksionimin shërbimit civil duke ua marrë mandatin 1600 njerëzve dhe duke i kthyer këto pozita ku një qeveri vendos për emërimin e tyre. Qëndrimet e BE-së dhe organizatave tjera janë kundër dhe ne si AAK do të bëjmë disa amendamente ta largojmë këtë nen që është kapje e shtetit”- ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nëse Ligji kalon në draftin që është aktualisht, AAK do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa, për Ligjin për paga, Tahiri ka thënë se vlera e koeficientit duhet të jetë 120 euro.

“Për Ligjin për paga vlera e koeficientit duhet të jetë 120 euro dhe të hyjë në fuqi me 1 shkurt. Ka disa probleme qe mund te janë çështje kushtetuese siç është privilegji për disa ministri. Ne i kemi dhënë mbështetje në parim”- ka thënë tutje ai.

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është duke mbajtur sot Dëgjim publik legjislativ për këto dy projektligje.

Dje, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozimin që shqyrtimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjit për Paga të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores.

Me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për këtë mocion Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

Në seancën e 9 dhjetorit, kur janë miratuar në parim këto projektligje, është vendosur që të trajtimi i tyre të bëhet në procedurë të rregullt.

Afati ligjor për të propozuar amendamente sipas rregullores së Kuvendit është 15 ditë.

“Amendamentet në projektligj mund të propozojë deputeti, komisioni parlamentar dhe Qeveria. Amendamentet i adresohen komisionit përgjegjës- raportues, nëpërmjet zyrës për propozime dhe parashtresa brenda përmbledhjet ditësh nga dita e miratimit në parim”- thuhet në rregullore.

Sjellja e këtyre dy projektligjeve sot në Kuvend, nuk do t`ua mundësonte, deputetëve që të shtojnë amendamente të reja për këto dy projektligje të propozuara nga Qeveria.