Berisha: Niveli i sigurisë në punë është në gjendje alarmante

Në emisionin “Kallxo Përnime” janë duke u prezantuar gjetjet e raportit që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të punëtorëve në vendin e punës.

Kastriot Berisha, nga Zyra Ligjore e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), dhe autor i raportit “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtoreve nga Inspektorati i Punës dhe Gjyqësori” , tha se niveli i sigurisë në punë në Kosovë është në gjendje alarmante.

“Nga gjithë ky proces njëvjeçar mund të themi se kemi arritur në rezultate mjaft shqetësuese që tregojnë se niveli i sigurisë në punë në Kosovë është në gjendje alarmante, pothuajse çdo muaj një person vdes në vendin e punës, po ashtu 1% e bizneseve e kanë kryer vlerësimin për rrezikun në vendin e punës”- tha ai.

Berisha i sheh shqetësuese dënimet minimale nga gjykatat në Kosovë në rastet e vdekjeve dhe lëndimeve të punëtorëve në vendin e punës.

Ai tha se nga 27 aktgjykime vetëm katër kanë qenë me dënim  me burg.

“Edhe më shqetësuese është se të gjitha këto raste me pasoja fatale, në gjykata dënimet janë minimale. Nga 27 aktgjykime vetëm 4 vendime janë shqiptuar me dënim me burgim. 4 raste kanë qenë ku personat kanë vdekur në vendin e punës, dy vendime kanë qenë me dënim me burg, ndërsa dy dënime me burg të kushtëzuar”- tha Berisha.

Nga viti 2016 e deri në vitin 2022 në Kosovë 81 qytetarë kanë vdekur në vendin e tyre të punës.

Shumica e rasteve kanë qenë në sektorin e ndërtimtarisë.