Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha: Çështja e grevës i takon kryeministrit, nuk është problemi të Rrahman Jasharaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, në seancën e Kuvendit ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të marrë në mbrojtje kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn.

Sipas deputetit Berisha, çështja e grevës dhe mos-shkuarja e nxënësve në shkolla i takon kryeministrit Albin Kurti dhe nuk është problemi te Rrahman Jasharaj.

“Linçimet që po i bëhen një qytetarit të Kosovës, si në rastin e Rrahman Jasharajt, sulmet linçuese ndaj çdo njeriu dhe ankesa që fëmijët nuk po shkojnë në shkollë, problemi është të Qeveria, nuk është të Rrahman Jashari, por te kryeministri. Edhe unë jam prind edhe unë kam fëmijë dhe kam dëshirë me i dërgu në shkollë. Po ashtu kërkoj nga Policia e Kosovës që të marrë në mbrojtje Rrahman Jasharajn. Qasja konfliktioze me sindikatat, tendenca për me përça brenda, është problem në vetvete” – ka thënë Berisha.

Ai tutje ka folur edhe për disa çështje që kanë të bëjnë më sigurinë dhe mbrojten.

Berisha ka thënë se ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të Policisë u mungon  transporti.

“Çdo ditë në rrugë shohim ushtarë dhe policë duke bërë autostop për shkak të mungesës së transportit për njerëzit me uniformë. Shumë ushtarë të FSK-së lëshojnë vendin e punës, disa kalojnë nga FSK në Polici por shumica prej tyre e lëshojnë vendin dhe dalin në përendim, tani kjo është shpeshtuar. Duhet të sigurohet transport në mënyrë që të mos i shohim duke pritë rrugëve” – ka thënë ai.