Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Bënin gara shpejtësie, Policia ndërmerr masa ndaj katër shoferëve në Gjakovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, më 11.03.2024, ka intervenuar në një rast ku dyshohet se katër persona po bënin gara shpejtësie me makina.

Automjetet janë ndalur në rrugët “Adem Jashari” dhe “Bujar Roka”, ndërsa ndaj ngasësve të tyre, Policia thotë se janë ndërmarrë masa konform ligjit për trafikun rrugor.

“Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë me datën 11.03.2024 kanë identifikuar dhe ndalur katër automjete në rrugët “Adem Jashari” dhe “Bujar Roka”, ngasësit e të cilave bënin gara shpejtësie, me ç’rast kishin bërë edhe shkelje të tjera të rregullave të trafikut. Ndaj këtyre ngasësve janë ndërmarrë masa bazuar në ligjin për trafikun rrugor”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Me qëllim ngritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor, Policia njofton se Drejtoria Rajonale në Gjakovë është duke vazhduar me aktivitete policore me qëllim parandalimin e aksidenteve të trafikut, identifikimin e kundërvajtësve, në veçanti identifikimin dhe parandalimin e organizimit të garave të shpejtësisë.

Më 16.12.2023, tre persona kanë vdekur si pasojë e goditjes me veturë gjatë një gare automobilistike që po zhvillohej rreth orës 21:00 në Autostradën “Ibrahim Rugova”.

Dy të dyshuarit Irfan Hoti dhe Arlind Syla, ishin marrë vesh dhe kishin organizuar garë të kundërligjshme atë mbrëmje.

Ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.

Për pasojë ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N. B., M. D. dhe L. S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.