Bekë Berisha - Foto: KALLXO.com

Bekë Berisha: Për me rujtë shtetin e dhamë pushtetin, ju për me rujtë pushtetin keni me kthy Serbinë

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Bersha, në seancën e jashtëzakonshme  për tarifën 100% tha se Qeveria e tanishme me heqjen e taksës rrezikon ta kthejë Serbinë në Kosovë.

“Ne për me rujtë shtetin e jepum pushtetin, ju për me mbajt pushtetin keni me kthy Serbinë në Kosovë, nëse ju lejojmë ne. Ju bëj thirrje që në çdo rast të vendosni pushtetin e Kosovës në vend të pushtetit personal, sepse historia do të ju mbajë në mend”, tha Berisha.

Berisha tha se nuk ka dyshim që Albin Kurti do ta heqë tarifën por tha se nuk do të ketë reciprocitet.

“Ne sot rrezikojmë që lirinë dhe të arriturat e vendit tonë t’i lëmë në dorën e mashtruesve adoleshentë  dhe vëllazërive të çuditshme.  Se nuk do të mundet kjo Qeveri t’i bëjë ballë presionit nuk do t’i mundet por a do ta heqë taksën nuk kam dilema, se a do të ketë reciprocitet nuk do të ketë. Ndërsa Albin Kurti do t’i nënshtrohet Serbisë”, tha deputeti i AAK-së.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është duke u mbajtur rreth vendimit të Qeverisë për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Kjo seancë është thirrur me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se më 15 mars do ta heqë tarifën ndaj lëndës së parë nga Bosnja e Serbia.

Tarifa ndaj mallrave serbe u vendos në nëntor 2018 nga ish-Qeveria Haradinaj.

Ky i fundit ka bërë thirrje disa herë që tarifa të mos hiqet deri në njohjen e Kosovës shtet nga Serbia.