Peter Stano

BE: Udhërrëfyesi për marrëveshjen Kosovë-Serbi për energjinë po ngec për "aspekte teknike"

Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, i cili do të duhej të shërbente si kalendar për zbatimin e obligimeve të Kosovës dhe Serbisë karshi marrëveshjes për energjinë të nënshkruar që nga viti 2013, nuk po zbatohet sipas afateve të cilat i kanë nënshkruar vetë palët.

Kalendari për udhërrëfyesin është 100-ditor, ndërsa 45-ditëshi i tij e gjen vetëm me një pikë të zbatuar plotësisht.

Pika e vetme e zbatuar plotësisht është pika e parë e këtij udhërrëfyesi të nënshkruar në Bruksel më 21 qershor, që Zyra e Rregullatorit të Energjisë t’ia lëshojë licencën e furnizimit “Elektroseverit”.

Lidhur me zvarritjet, KALLXO.com i ka dërguar pyetje Bashkimit Evropian, i cili është në rolin e lehtësuesit në dialog. Ata thonë se vonesat në zbatimin e afateve të udhërrëfyesit për energjinë kanë ndodhur për shkak të aspekteve teknike.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se BE-ja po ndjek nga afër aktivitetet e të dyja palëve në udhërrëfyesin e energjisë në kapacitetin e saj si lehtësues dhe garantues i marrëveshjeve të dialogut.

“Vonesat në zbatimin e Udhërrëfyesit janë për shkak të aspekteve teknike, të cilat BE-ja u ka kërkuar palëve t’i adresojnë pa vonesë. BE-ja po ofron udhëzime se si të adresohen pyetjet e hapura” – ka thënë ai.

Tutje Stano ka shtuar se KOSTT, KEDS dhe Elektrosever janë në komunikim të rregullt. “Ata gjithashtu raportojnë rregullisht në BE dhe SHBA”.

KALLXO.com ka pyetur Stanon se cilat janë sanksionet për palët që nuk zbatojnë udhërrëfyesin, ndërsa në përgjigjen e tij ai ka thënë se BE nuk është arbitër.

“BE-ja po lehtëson dialogun ndërmjet palëve, nuk është arbitër. Përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjeve të Energjisë dhe Udhërrëfyesit u takon palëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, udhërrëfyesi parashikon çdo eventualitet gjatë zbatimit të tij.

“Fokusi mbetet në zbatimin e plotë të Udhërrëfyesit, që në fund të fundit është përgjegjësi e palëve”- ka theksuar ai.

Kalendari për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë është 100-ditor.

Pika e vetme e zbatuar është  ajo që Zyra e Rregullatorit të Energjisë t’ia lëshojë licencën e furnizimit “Elektroseverit”.

Sipas udhërrëfyesit, në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditëve të lëshimit të licencës, ZRRE mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për “Elektrosever”-in, ndonëse para këtij vendimi duhet të ketë konsultime me palët, nën ndërmjetësim të BE-së, brenda një afati kohor prej 15 ditësh.

BE më pas do të ofrojë opinion të ekspertëve nëse kërkohet të paktën prej ndonjërës palë.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013.

Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.

Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk është zbatuar asnjëherë.

Shkelja e afateve të udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë