Komisioni Europian - Bruksel

Foto: Denis Sllovinja

BE paralajmëron sanksione të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, por mobilizohet për blerjen e armëve të Ukrainës

Komisioni Evropian ka njoftuar sot se Bashkimi Evropian do të financojë blerjen dhe dërgimin e armëve në Ukrainë.

Përmes një postimi në Twitter, Komisioni tha se janë duke punuar në kërkimin e llogarisë ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë për sulmin e tyre ndaj Ukrainës.

Komisioni ka paralajmëruar sanksione të reja në ekonomitë e tyre.

“Ne jemi duke e forcuar reagimin tonë që ta mbajmë Rusinë dhe Bjellorusinë përgjegjës për sulmin e tyre në Ukrainë. Sanksionet tona të reja do të dëmtojnë luftën dhe makinën e tyre të propagandës si dhe do të kenë një ndikim gërryes në ekonomitë e tyre. Ne gjithashtu do të financojmë blerjen dhe dërgimin e armëve në Ukrainë”, thuhet më tej në njoftimin e Komisionit Evropian.

Komisioni Evropian po ashtu ka bërë të ditur se janë duke i përgatitur 500 milionë euro për ushtrinë ukrainase nga buxheti i Strukturës Evropiane të Paqes (EPF), i cili është një instrument që synon të rrisë aftësinë e BE-së për të parandaluar konfliktet dhe për të ndërtuar paqen.

Sipas Komisionit, kjo është hera e parë që BE do të financojë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve të tjera tek një vend që është nën sulm.

Komisioni Evropian është pushteti ekzekutues brenda Bashkimit Evropian.

Sot është dita e pestë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.