Osmani kërkon frenimin e Serbisë si masë parandaluese për sulmet e tjera

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani edhe një herë ka kërkuar sanksionimin e Serbisë për sulmin terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Në një konferencë për media, të mbajtur se bashku me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, Osmani ka thënë se nëse nuk merren masa ndaj Serbisë ajo do të inkurajohet për sulme të tjera.

“Pas aktit të agresionit të 24-shtatorit, fokusi duhet të jetë te vënia e të gjithë autorëve para drejtësisë së Republikës së Kosovës, marrja e garancive të forta të sigurisë sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe frenimi i Serbisë, sanksioni i Serbisë për veprimet e saj si masë parandaluese për sulmet e tjera në të ardhmen”- tha Osmani.

“Nëse nuk merren masa nga komuniteti euro-atlantik, Serbia do të ndihet më e fuqishme, më e  inkurajuar nga mosndëshkimi për të vazhduar me akte e sulme tjera me qëllimin përfundimtar, me atë që është dëshmuar nga të gjitha provat që kemi mbledhur më 24 shtator, që ka qenë aneksimi i veriut të Kosovës”- shtoi ajo.

Osmani ka thënë se Kosova po përballet me një ndër situatat më të rënda në 25 vitet e fundit, shkaku i veprimeve hibride nëpërmjet aktiviteteve terroriste dhe agresionit të sponsorizuar dhe urdhëruar nga Serbia.

“Prandaj shpresoj që partnerët tanë ndërkombëtar do të dëshmojnë qartësi strategjike dhe veprimet të vendosura për ta ndaluar përpjekjen e Serbisë për destabilizim, jo vetëm të Kosovës por të gjithë rajonit”- theksoi ajo.

Sipas saj, pavarësisht sulmeve Kosova e ka të qartë rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

“Kosova mbetet e palëkundur në vizionin e saj, përpjekjet e saj dhe në veprimet e saj për të pasur raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa punojmë për synimin tonë strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE”- shtoi ajo.

Presidentja Osmani është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kroaci.

Autoritet në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian vënien e masave për Serbinë pas sulmit terrorit të 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Nga ky sulm mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, tani më hero i Kosovës, Afrim Bunjaku, u plagos një polic, dhe një tjetër u lëndua.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.