Bastisjet në Kosovë, Zyra e Prokurorit të Specializuar jep detaje

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke kryer në vazhdimësi bastisje-operacione në Kosovë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i ZPS-së, Christopher Bennet.

“ZPS po kryen operacione në vazhdimësi dhe nuk ka asnjë koment të mëtejshëm” – është shprehur Bennett në një përgjigje zyrtare.

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka informuar se aksionet e bastisjeve nga ZPS po vazhdojnë.

Objekti i kryerjes së bastisjeve sipas tij është shtëpia e Behar Berishës, bashkëluftëtar i Salih Mustafës i njohur me nofkën komandant ‘Cali’.

Ish-komandanti “Cali” në dhjetor të vitit 2022 u dënua me 26 vjet burgim, ndërsa rasti i tij aktualisht është duke u trajtuar në Apel, dhe vendimi do të shpallet pas një jave, më 14 dhjetor.

“Sapo u informova se specialja ka filluar sërish bastisje në shtëpinë e bashkëluftëtarit të Calit, Behar Berisha” – tha Klinaku.

Edhe në shtator shtëpia e Behar Berishës kishte qenë cak i bastisjeve.