Barrikadat në fshatin Rudar të Zveçanit. Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com.

Barrikadat shtohen në veri të Kosovës, ngriten tenda pas tyre - VIDEO

Një barrikadë e re është vendosur në veri të Mitrovicës te premten mbrëma, numri i të cilave ka shkuar mbi 6 të tilla të cilat kanë bllokuar qarkullimin e lirë përmes rrugëve kryesore dhe për të vazhduar drejtë pikave kufitare.

Përderisa përtej pikës kufitare Jarinjë, janë mbledhur dhjetëra protestues disa prej tyre të maskuar, e te cilët janë mbledhur në shenjë pakënaqësie për situatën e krijuar në veri, situata brenda veriut të vendit është raportuar e qetë.

KALLXO.com ju sjell pamje të tri barrikadave kryesore që janë vendosur në veri të vendit.

Ajo e vendosur në Rudarë ka tashmë nëntë ditë qe gjendet aty. Me kamionë, autobusë e vetura të tjera qytetarët në këtë mënyrë kanë bërë të pamundur qarkullimin përmes kësaj rruge që shpie drejtë Leposaviqit.

Dy barrikada të tjera që janë vendosur një në afërsi të fshatit Çabër e tjetra në Zupç gjenden shumë afër njëra tjetrës.

KALLXO.com ka kaluar këto barrikada për te sjellë pamje se si janë të vendosura ato.

Menjëherë pas barrikadës së parë e cila të dërgon drejtë Zupçit, shihen dhjetëra qytetarë që kanë ngritur disa tenda e po qëndrojnë aty vazhdimisht.

Të njëjtit këto tenda i kanë vendosur ditëve të fundit pra, pas vendosjes së barrikadës së fundit.

Ani pse jo me tenda, dhjetëra qytetarë janë parë ditëve të kaluara edhe në fshatin Rudarë më saktësisht në kryqezimin që lidh Zvecanin dhe Leposaviqin.

Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për të nëntën ditë më radhë, si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Policia e Kosovës ka njoftuar mbrëmë se gjatë natës ka vazhduar vendosja e një barrikade të re në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative.

Sipas Policisë, që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë dhe dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Më 10 dhjetor 2022 pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve me barrikada në Rudarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullimin në pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq. Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë. Ai po mbahet në paraburgim për veprat penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor.

Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, në orët e hershme të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar ekipin e KALLXO.com, i cili gjendej në Lagjen e Boshnjakëve për të raportuar në lidhje me zhvillimet atje.