Banka të zgjedhura ruse përjashtohen nga SWIFT-i

Shtëpia e Bardhë, dhe BE kanë shpallur përjashtimin e “bankave të zgjedhura ruse” nga SWIFT.

Në një njoftim të shtunën vonë pasdite, Shtëpia e Bardhë tha, se në bashkëpunim me Komisionin Evropian, Francën, Gjermaninë, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, SHBA-ja po mbështesin dëbimin e “bankave të zgjedhura ruse” nga SWIFT – rrjeti i sigurisë që lidh mijëra institucione financiare në mbarë botën dhe premtoi përpjekje për të “siguruar kolektivisht se kjo luftë është një dështim strategjik për Putinin”, raporton CNN.

Çfarë është SWIFT dhe pse mund të jetë arma nga e cila Rusia ka më së shumti frikë

SWIFT – Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën u themelua në vitin 1973 për ta zëvendësuar teleksin dhe tani përdoret nga mbi 11,000 institucione financiare për të dërguar mesazhe të sigurta dhe urdhërpagesa. Pa asnjë alternativë të pranuar globalisht, është një hidraulik thelbësor për financat globale.

Largimi i Rusisë nga SWIFT do ta bënte pothuajse të pamundur për institucionet financiare dërgimin e parave brenda ose jashtë vendit, duke shkaktuar një tronditje të papritur për kompanitë ruse dhe klientët e tyre të huaj – veçanërisht blerësit e eksporteve të naftës dhe gazit në dollarë amerikanë.

“Ndërprerja do t`i përfundonte të gjitha transaksionet ndërkombëtare, do të shkaktonte paqëndrueshmëri të monedhës dhe do të shkaktonte dalje masive të kapitalit”, shkroi Maria Shagina, bashkëpunëtore vizitore në Institutin Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare, në një punim vitin e kaluar për Carnegie Moscow Center. Përjashtimi i Rusisë nga SWIFT do të bënte që ekonomia e saj të tkurret me 5%, vlerësoi ish-ministri i financave Alexei Kudrin në 2014.

SWIFT është me bazë në Belgjikë dhe udhëhiqet nga një bord i përbërë nga 25 persona, duke përfshirë Eddie Astanin, kryetar i bordit drejtues në Qendrën Kryesore të Pastrimit të Kundërpartive të Rusisë. SWIFT, i cili e përshkruan veten si një “shërbim neutral”, është inkorporuar sipas ligjit belg dhe duhet të jetë në përputhje me rregulloret e BE-së.

Çfarë ndodh nëse Rusia përjshtohet nga SWIFT?

Ka një precedent për përjahstimin e një vendi nga SWIFT.

SWIFT i ka shkëputur bankat iraniane në vitin 2012 pasi ato u sanksionuan nga Bashkimi Evropian për programin bërthamor të vendit. Irani humbi pothuajse gjysmën e të ardhurave të tij nga eksporti i naftës dhe 30% të tregtisë së jashtme pas shkëputjes, sipas Maria Shagina.

“SWIFT është një kooperativë globale neutrale e krijuar dhe operuar për përfitimin kolektiv të komunitetit të saj”, tha kjo organizatë në një deklaratë të mërkurën. “Çdo vendim për vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve ose subjekteve individuale varet vetëm nga organet kompetente qeveritare dhe ligjvënësit në fuqi”, thuhet tutje nga kjo organizatë.

Kundërmasat e Rusisë

Rusia ka ndërmarrë masat e saja vitet e fundit për ta zbutur traumën në rast se ajo përjashtohet nga SWIFT.

Moska krijoi sistemin e saj të pagesave, SPFS, pasi u godit nga sanksionet perëndimore në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë në fillim të atij viti. SPFS tani ka rreth 400 përdorues, sipas bankës qendrore të Rusisë. Njëzet për qind e transfertave të brendshme bëhen aktualisht përmes SPFS, sipas Shagina, mirëpo madhësia e mesazheve është e kufizuar dhe operacionet janë të kufizuara në orët e ditës së javës.

Sistemi i ri i pagesave ndërbankare ndërkufitare të Kinës, ose CIPS, mund të ofrojë një alternativë tjetër ndaj SWIFT. Moska gjithashtu mund të detyrohet të përdorë kriptomonedha.

Por këto nuk janë alternativa atraktive./CNN

 

 

Gjermania mbështet largimin e Rusisë nga SWIFT-i