Haki Rugova. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ballafaqimi i Haki Rugovës me aferat e tenderëve në Istog

Tenderë për partiakë e simpatizantë, punësime të militantëve politikë janë çështje të shtresuara mbi problemet e jetesës së përditshme të qytetarëve të Istogut.

Komuna e udhëhequr nga Haki Rugocës ka probleme me kanalizim, probleme në ndarjen e subvencioneve dhe ndihmave, problem me mbeturina e prishje të investimeve pa u përdorur

Për të gjitha këto probleme foli vetë Haki Rugova në debatin “Jeta në Komunë” që u xhirua disa ditë para se Kryetari të arrestohej nën dyshimet për vepra korruptive.

Në fillim të emisionit, i pari i Istogut i shpalosi punët të cilat janë kryer gjatë mandatit të fundit.

Jeta në Komunë, Istog. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ai tha se është bërë shumë gjatë këtij mandati sa që as vetë se ka pritur.

“Nëse kthehem prapa dhe i analizojmë premtimet që ju kanë dhanë qytetarëve gjatë procesit të fundit unë mendoj që ka arritura të konsiderueshme ma të mira sa që e kom prit edhe vet”, tha Rugova.

Pas këtyre deklaratave i pari i Komunës u përball me KRYPOMETRINi cili i ka matur premtimet që ai i pati dhënë në vitin  2017.

Të dhënat treguan se ishin një numër i konsiderueshëm i premtimeve të cilat nuk ishin mbajtur nga Kryetari i Komunës.

Premtimet për përfundimin e palestrës, memorialit Ibrahim Rugova, publikimin e listës së uzurpatorëve dhe listës së borxhlinjve nuk u mbajtën ndërsa fjalën e mbajti për ndërtimin e çerdhes së re dhe përfundimin e disa rrugëve që ishin nisur mandatin e kaluar.

“Të gjitha që ke thanë rrenë, rrënë, rrënë të gjitha ato projekte janë të sakta, janë bo janë tu përfundu,  janë të sakta janë tu përfundu,  ato janë tu përfundu, premtim i pa realizuar mund ta quash e jo me kos, çdo premtim që jepet jepet në afatin katër vjeçar”, ka thënë Rugova.

Përpos mosrealizimit të premtimeve, kryetari Rugova u përball edhe me hulumtimin për tenderët të cilët po shkojnë në duart e simpatizantëve të LDK-së dhe anëtaret e kësaj partie.

Hulumtimi i cili ishte publikuar në KALLXO.com, tregonte se kampion i tenderëve në komunën e Istogut është kompania “Shkëmbi Sh.P.K”, e cila vetëm gjatë këtij mandati ka fituar 33 tenderë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, pronari i kësaj kompanie ishte përkrahës i madh i LDK-së.

Hulumtimi kishte shfaqur edhe si  shefi i kabinetit të Kryetarit Valmir Loxha ishte i punësuar në kompaninë Shkëmbi pak para se të emërohej në pozitën aktuale nga Haki Rugova.

Në lidhje me këtë çështje kryetari Rugova deklarij se nuk kjo nuk ka të bëjë asgjë me nepotizëm apo konflikt interesi.

‘Valmiri ka punu pikërisht në kompaninë “Shkëmbi”, ky ka ardhë vonë shef kabineti, nuk ka të bëjë me nepotizëm dhe me asgjë, nuk është arsyeja ajo pse ka ardhë, unë e kam të drejtën me e emëru”, tha Rugova.

Përpos tenderëve për kompaninë e simpatizantit të LDK-së, Istogu ka dhënë tenderë edhe për kompanitë në të cilat punojnë drejtorët e Komunës.

Kompania “Intering Construction” në të cilën punon drejtori i arsimit Hajrush Shoshi dhe kompania “Granit Sh.p.k” në të cilën punon drejtori i urbanizmit Jashar Blakaj janë fituese të tenderëve në Istog.

“Çka ka lidhje, a ka shkelje këtu, unë nuk e shoh që ka shkelje, te unë nuk paraqet problem hiq”, ka thënë Rugova.

Pas tenderëve radha për debat i erdhi deponive ilegale.

Në këtë emision u shfaqën pamje të katër deponive ilegale të cilat ndodhën në hyrje të Istogut, fshatin Shushicë si dhe fshatrat Kaliqan dhe Cërrcë

Deponia ilegale e mbeturinave në fshatin Kaliçan në Istog.
FOTO- Kastriot Berisha/KALLXO.com

Në lidhje me to reagoi edhe asamblisti i PDK-së, Labinot Aliaj, i cili ngriti shqetësimin se si kanë filluar të grumbullohen mbeturinat në shtegun për ecje.

Labinot Aliaj, PDK. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Shtegu i ecjes tek ajo rrugë anej është shqetësuese qysh ka fillu të shndërrohet në deponi ilegale e kam ngrit shqetësimin më kanë premtu që do të marrin masa mirëpo ajo vazhdon të jetë e njëjta dhe vazhdohet të hedhet mbeturina, kemi shqetësim pasi ajo pjesë është shteg i ecjes dhe edhe vet kryetari del e ec andej”, tha Alijaj.

Ndërsa kryetari Rugova fajin për deponitë ilegale ia la qytetarëve të cilët i quajti të pa përgjegjshëm.

“Deponitë ditore janë duke u grumbullu, kjo është papërgjegjësi e qytetareve, nuk po tuten nuk pe kanë kasavet hiq, nuk e di sa gjoba e di që për çdo vjet po ndaj mijëra euro me i hek po po bahen prapë”, tha kryetari.

Gjatë emisionit asamblisti i AAK-së Eliot Kukiqi ngriti shqetësimin për mos mbledhjen e borxheve nga Komuna.

Eliot Kukiqi, AAK. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Janë 41 ndërmarrës që kanë borxhe të pashlyera dhe komuna nuk ka arritur me i mbledhë këto borgje”, tha Kukiqi.

Pika më e nxehtë e emisionit ishin punësimet e anëtarëve të LDK-së dhe familjarëve të kësaj partie në komunë.

Hulumtimi i KALLXO.com kishte zbuluar se partia e cila udhëheq me Komunën e Istogut rehatoi një numër të madh të anëtarëve në pozita publike.

“Çka ka të keqe këtu unë këta se kam të qartë, pse a s’bon vajza e një drejtori me u punësu në arsim, a nuk e ka ajo asnjë të drejtë me u punësu a “, ka thënë Rugova kur u pyet për punësimet.

Në debat u diskutua edhe për shpenzimet e mëdha që bëjnë zyrtarët e komunës në dreka dhe darka zyrtare.

Komuna e Istogut gjatë vitit 2018 ka shpenzuar mbi 44 mijë euro në dreka dhe darka zyrtare.

Në bazë të të dhënave të ofruara nga komuna del se rreth 22 mijë euro janë shpenzuar vetëm nga zyra e kryetarit Haki Rugova.

Në lidhje me këto shpenzime kryetari Rugova ka deklaruar se nuk janë shumë dhe se ato parashihen me buxhet.

“Na kur e planifikojmë buxhetin i parashohim edhe drekat pasi kryetari i Komunës shpesh ka delegacione, veç me ja bo tash si kryeministri me i marrë sandviqat me veti”, ka thënë Rugova.

 

Rrjeta e tenderëve në qeverisjen e Haki Rugovës