Rrjeta e tenderëve në qeverisjen e Haki Rugovës

Në zgjedhjet e fundit Haki Rugovës iu desh shumë mund për të arritur fitoren në Istog. Me vetëm 14 vota më shumë, Rugova mundi Gani Dreshajn e AAK-së për të marrë qeverisjen e Istogut edhe për katër vite.

Midis shumë problemeve në ambient, infrastrukturë dhe shërbime publike, mandati i ri tregon se Komuna është fokusuar në ndarjen e tenderëve, heshtjen e opozitës dhe punësimin e militantëve partiakë në shkolla e shëndetësi.

Një hulumtim i KALLXO.com ka zbuluar se prapa tenderëve në Istog qëndrojnë zyrtarë të LDK-së me pozita të larta drejtuese në Komunë, simpatizantë të kësaj partie dhe familjarë të tyre.

Kampion i tenderëve në komunën e Istogut është kompania “Shkëmbi Sh.P.K”, e cila vetëm gjatë këtij mandati ka fituar 33 tenderë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, pronari i kësaj kompanie ishte përkrahës i madh i LDK-së.

Kjo dëshmohet edhe me këtë fotografi në të cilën Muhamet Metaj shihet duke iu gëzuar fitores së LDK-së.

Muhamet Metaj

KALLXO.com ka kontaktuar me pronarin e kompanisë për ta pyetur në lidhje me relacionin e tij me LDK-në. Në përgjigjen e tij Metaj ka thënë se është vetëm simpatizant i LDK-së dhe nuk ka ndonjë rol në parti.

“Prej 2017 ka mundësi që janë 33 tenderë. Unë jam vetëm simpatizant i LDK-së. Nuk jam ndihmu aspak se për tenderë marrin edhe ata që janë kanë shumë kundër. Në 90% të rasteve e kemi marrë veç kur kemi qenë me çmimin ma të lirë se përndryshe kurrë”, ka thënë Metaj. 

Mirëpo, përpos faktit se është simpatizant i LDK-së, KALLXO.com ka gjetur edhe një detaj tjetër interesant. Valmir Loxha, shefi i kabinetit të kryetarit Haki Rugova, ka punuar te kompania “Shkëmbi Sh.P.K”, pak para se të emërohej si shef kabineti.

Faktin se Valmir Loxha ka qenë punëtor i kompanisë “Shkëmbi” e ka pranuar pronari i kompanisë Muhamet Metaj. 

 “Valmiri ka qenë në zyre, kryesisht ka mbajtë shënime. Nuk punon më prej atij momenti, atë e kemi shok që 15 vite dhe veç ka qenë pa punë e kemi punësu ku ka punu 1 vit e gjysmë dhe në momentin që e ka gjetë një punë është terhek”, ka thënë Metaj. 

Përveç tjerash, hulumtimi i KALLXO.com tregon se kompania “Shkëmbi” ka fituar tenderë edhe në rastet kur kishte dalë më e shtrenjtë se sa kompanitë e tjera.

Kompania e simpatizantit të LDK-së mori tenderët “Ndërtimi i rrugës Hul Huli- Istog i Poshtëm” dhe “Asfaltimi i rrugës në lagjen Dekaj-Istog i Poshtëm”, për të cilat në fund rezultoi se ishte më e shtrenjtë sesa ofertat e kompanive të tjera. 

Ky fakt ishte gjetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit, e cila përpos faktit se kishte konstatuar se Komuna ka dhënë tender për kompaninë më të shtrenjtë ia ka bërë me dije Komunës se shpërblimi i kompanive më të shtrenjta është në kundërshtim me Ligjin për prokurim publik.

Kompani tjetër me shumë tenderë në Istog është edhe “Menti Sh.P.K”. Kjo kompani gjatë këtij mandati qeverisës ka marrë 11 tenderë.

Edhe kjo kompani ka lidhje me zyrtarë të lartë të LDK-së, në Istog. 

Pronari i kompanisë është Islam Shoshi, i cili shihet në një fotografi bashkë me Besart Dreshajn, nënkryetarin e LDK-së në Istog, tani zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. 

Islam Shoshi

Shoshi ka thënë për KALLXO.com se nënkryetarin Dreshaj e ka familjar dhe se ai nuk ka ndikuar në dhënien e tenderëve. 

“Absolutisht nuk ka pasë ndikim. Nënkryetarin e kam tezak, ai ka qenë shumë shkurt në pozitë në Istog edhe s’e ka vetë kurrëkush për ato punë se u kanë i ri”, ka thënë Shoshi.

Tenderë kanë marrë edhe kompanitë të cilat kanë lidhje me drejtorët e Komunës së Istogut. 

Kompania e vëllait të Hajrush Shoshit, i cili është drejtor i Arsimit, ka fituar tender në Komunën e Istogut. 

“Intering Construction” ka fituar tenderin për furnizim me material ndërtimor për rastet emergjente. Vlera e kësaj kontrate është 55 mijë euro.

Kontrata është fituar në fund të vitit 2017 dhe ka zgjatur deri në fund të vitit 2019. 

Përpos faktit se është drejtor në Istog, Hajrush Shoshi punon edhe në kompaninë e vëllait të tij. Ai i mban kontabilitetin kësaj kompanie.

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori Shoshi thotë se nuk ka ndikuar që kompania ku punon të jetë përfituese e tenderit.

“Unë nuk kam asnjë kompani, unë punoj në kompaninë e vëllait, ai është i ndarë, prej që unë jam drejtor ai nuk ka fitu tender, pozita ime nuk ka pasur ndikim që ai të përfitojë këtë tender”, ka thënë Shoshi. 

Tenderë ka fituar edhe kompania në të cilën punon drejtori i Urbanizmit në Komunën e Istogut. 

Jashar Blakaj përpos funksionit të drejtorit të Urbanizmit është i angazhuar edhe në kompaninë private “Granit Sh.P.K”, si inxhinier i ndërtimtarisë.

Kompania “Granit Sh.P.K”, ka fituar tenderin për asfaltimin e rrugës në Dubravë, tenderin për asfaltimin e rrugës Istog – Cerrcë, tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve dhe tenderin për asfaltimin e rrugës “Jakup Ferri”. Vlera e këtyre katër projekteve është rreth 400 mijë euro.

Përpos këtyre tenderëve “Granit Sh.P.K”, në fund të vitit 2019 është fitues i tenderit për ndërtimin e qendres së Istogut. Vlera e këtij projekti është 933 mijë euro.

Në lidhje me këta tenderë ka folur drejtori i Urbanizmit, Jashar Blakaj, i cili ka thënë se nuk ka ndikuar që kompania në të cilën punon të marrë tenderë.  

“Unë prej 1 janar e kam një marrëveshje si inxhinier me kompaninë pas orës katër ose vikendeve konsultohem si konsulent, jam konsultu me Agjencionin Anti Korrupsion, e kam lajmëruar nuk ka kurrfarë konflikti, kompania ka tenderë po nuk mundet me pasë ndikim nga unë”, ka thënë Blakaj.  

Përpos vërejtjes për dhënie tenderësh me çmime më të larta gjatë këtij viti Komuna e Istogut ka marrë vërejtje edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion. 

Kjo Agjenci ka konstatuar se Komuna e Istogut ka vendosur kritere diskriminuese në tenderin “Ndërtimi i infrastrukturës në zonën industriale në Istog”.

Sipas AKK-së, kriteri ku kërkohej që operatorët ekonomikë për të aplikuar në tender duhet të dëshmonin numrin minimal prej 15  punëtorëve në tre muajt e fundit ishte diskriminues për faktin se shumë kompani nuk do të mund të aplikonin.

Heshtja e zërave kundërshtarë

Qeverisja në Istog përpos që rehaton pozitën siç duket po rehaton edhe opozitën. 

Dikur njeriu më i zëshëm kundër Haki Rugovës në Istog ishte ish-kandidati për kryetar të Komunës, Arif Elshani.

Debatet komunale bëheshin interesante kur fillonte përballja në mes tij dhe Haki Rugovës. 

Arif Elshani, i cili gjatë debateve zgjedhore akuzonte Haki Rugovën për nepotizëm e konflikt interesi, sot ka vendosur të mos flasë. 

Heshtjen e arsyeton me zhgënjimin nga rezultati i zgjedhjeve por të dhënat tregojnë edhe një detaj tjetër. 

Kompania e Arif Elshanit  “Mercom Sh.p.k” gjatë këtij mandati të Haki Rugovës ka arritur që të fitojë dy tenderë në Istog. 

Tenderi për punët brenda palestrës së sporteve dhe tenderi për ndërtimin e tribunave në stadiumin e futbollit janë projekte të cilat po kryhen nga kompania e Elshanit.

Arif Elshani

Elshani ka thënë për KALLXO.com se nuk është duke u marrë me politikë dhe se kompania e tij është e madhe dhe për atë arsye ka fituar tender.

“Arif Elshani është pronar i kompanisë “Mercom”. E vërtetë që na e kemi marrë një tender në Komunën e Istogut por kompania jonë është e madhe, na marrim tenderë gjithkah , e kemi marrë një në Istog, atë tender e kemi fitu në OSHP, unë nuk jam tu u marrë ma me politikë”, tha Elshani. 

I pyetur pse nuk ka dhënë akoma dorëheqje nga pozita e asamblistit, Arif Elshani tha se ka vendosur të japë dorëheqje. 

Të dhëna të tjera tregjojnë se edhe një anëtar tjetër i opozitës,  asamblisti i AAK-së, Muhamet Ukaj, ka arritur që gjatë këtij mandati të LDK-së të bëhet drejtor në shkollën “Zymer Zeka”, në Kaliqan. 

Pas zgjedhjes drejtor, Ukaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e asamblistit.

Ukaj ka thënë se ka qenë kërkesë e përfaqësuesit të LDK-së i cili është kryetar i fshatit dhe kërkesë e bashkëfshatareve që ai të bëhet drejtor. 

“Pozita e asamblistit nuk ka pasur ndikim në punësimin tim. Interesimi me qenë unë drejtor ka qenë i fshatit, nuk kam pasë pengesa prej LDK-së pasi bash përfaqësuesi i LDK-së, kryetrari i fshatit, ka kërku që unë të jem drejtor, kështu që ata nuk e kanë kundërshtu kërkesën e fshatarëve “, ka thënë Ukaj. 

Politizimi i administratës

Për të siguruar një vend pune në Komunën e Istogut po del se duhet të jesh pjesë e një partie të caktuar politike.

Një hulumtim i KALLXO.com zbuloi se partia e cila udhëheq me Komunën e Istogut rehatoi një numër të madh të anëtarëve në pozita publike. 

Anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së janë shpërblyer me tenderë dhe vende pune në administratë, arsim, shëndetësi dhe sektor të tjerë.

Ka asamblist dhe ish-kandidat për Asamble Komunale që kanë arritur që gjatë këtij mandati të sigurojnë nga një vend pune në këtë komunë.

Të tillë janë kryetari i rinisë së LDK-së, Hekuran Rugova, asamblistja Edona Lubeniqi dhe ish-asamblistja Luljeta Zeqiraj.

I pari i rinisë së LDK-së në Istog arriti që të bëhet zyrtar për hartimin dhe përcjelljen e projekteve kapitale.

Në lidhje me punësimin e tij, Rugova ka mohuar të jetë ndihmuar nga partia.

“Çka ka pasë me pasë ndikim, aty kanë qenë kriteret unë i kam plotësu jam hi në test dhe s’ka pasë e as që mundet me pasë ndikim në procedurë të hapur”, ka thënë Rugova.

Asamblistja Edona Lubeniqi është rehatuar si teknike e radiologjisë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Istog, ndërsa për punësimin e saj thekson se nuk është ndihmuar nga partia. 

“Absolut s’ka pasë ndikim partia. Unë paraprakisht kam qenë me një projekt, në krejt Istogun ka qenë problem me gjetë me drejtim temin, unë e kam pasë këtë fat, jam asambliste dhe nuk kam dhanë dorëheqje nga pozita për shkak se ligji ma lejon”, ka thënë Lubeniqi. 

Ndërsa ish-asamblistja e LDK-së, në mandatin e kaluar, Luljeta Zeqiraj ka arritur të punësohet si zyrtare për biblotek në shkollën fillore në Banjë.

Luljeta Zeqiraj

Edhe Zeqiraj thotë se nuk është ndihmuar nga partia për t’u punësuar.

“Ka qenë konkurs i hapur, kam apliku, nuk jam ndihmu nga partia dhe vazhdoj të jem anëtare e LDK-së”, ka thënë ish-asamblistja. 

E vende pune kanë siguruar edhe fëmijët e zyrtarëve të lartë të LDK-së, në Istog, si dhe zyrtarëve të lartë komunalë.

Vajza e drejtorit të Inspektoratit në Istog, Valesa Çeta, është punësuar mësimdhënëse në shkollën “Ismail Qemali”, në Saradran.  

Drejtori i Inspektoratit Demë Çeta ka deklaruar se nuk e ka ndihmuar vajzën e tij që të punësohet.

“Pozita jeme në punësimin e saj nuk ka pasë asnjë ndikim. Unë i kam edhe pesë fëmijë më të medhënj se ajo me fakultet dhe asnjë nuk i kam të punësum, po të kisha ndiku i kisha punësu ata ma përpara, po qashtu i ka ardh fati është punësu pa anjë ndikim”, ka thënë drejtori Çeta.

Madje një konkurs ishte bërë mollë sherri për anëtarët e LDK-së pasi eskaloi edhe në fjalosje në mes të drejtorit të DKA-së dhe zyrtarit të Prokurimit në Komunë. 

Punësimi i djalit të drejtorit të Kadastrit në arsim kishte bëre që  një anëtar i strukturave të LDK-së ta denoncojë publikisht kryetarin e Komunës, Haki Rugovën për ndikim në punësim.

Ky punësim u bë shkas për përleshje verbale mes zyrtarit të Prokurimit në Komunë dhe drejtorit të Arsimit.

Arsyeja e përplasjes verbale mes tyre ishte punësimi i Arton Bajrës, djalit të drejtorit të Kadastrit, Hazbi Bajra.
Deri tek kjo përplasje ka ardhur pasi në atë pozitë nuk ishte përzgjedhur Fatmir Ademaj, familjari i zyrtarit të prokurimit Gëzim Ademaj. 

Në lidhje me pretendimet për ndikim në këtë konkurs foli edhe kryetari i Komunës, Haki Rugova. Ai ka thënë se nuk ka ndikuar në punësimin e djalit të drejtorit dhe se e respekton vendimin e komisionit.

“Konkursi ka qenë i hapur, komisionet kanë qenë e kanë marrë vendimin e vet, unë e respektoj vendimin e komisionit, mua më intereson procedura ligjore. Nëse dikush ka ankesa le të ankohet edhe a s’ka të drejtë djali i drejtorit me hi në punë kurrë a?”, tha Rugova.

Mësimdhënese u bë edhe vajza e shefes së Prokurimit në Istog, Valejta Bujupaj. Për punësimin e saj shefja e Prokurimit, Zize Bujupaj, deklaron se nuk ka ndikuar.

“As që e kam ditë kush është anëtar komisioni, u kanë ba e madhe kur u punësu çika jeme, mirëpo ka qenë e vetmja konkurrente për atë pozitë qaty. Unë nuk jam anëtare e partisë dhe nuk merrem me politikë”, ka thënë Bujupaj. 

Petrit Shatri, djali i asamblistit të LDK-së, Zenel Shatri, gjatë këtij viti u punësua si mjek i përgjithshëm në QKMF-në e Istogut. 

Interesante është deklarata e asamblistit Zenel Shatri, i cili thekson se punësimet në shëndetësi bëhen me rend: kush diplomon i pari punësohet.

“Petriti që dy vjet është tu prit, ka punu në firma farmaceutike e tash puna e COVID komuna i ka marrë tre veta, janë me kontratë mbi vepër, unë kisha pas qejf me ndiku po s’kam mujt me ndiku hiç. Ne e kemi pru si qëndrim ai që diplomon ni ditë përpara hyn në punë ai që diplomon një ditë mbrapa hin tjetrën ditë, shkon me rend”, ka thënë Shatri. 

Ai shtoj se kryetari Haki Rugova është duke e përcjell shkëlqyeshëm rendin për punësim. 

“Kryetari është duke e përcjell shkëlqyeshëm. Ai që diplomon një ditë përpara në mjekësi ka me u punësu, dhe nuk ka huq rendi asnjëherë, e kanë pasë renin me data por nuk ka pasë mundësi ma herët”, shtoi Shatri. 

Gjatë këtij mandati të LDK-së, në Istog një vend pune siguroi edhe anëtari i kësaj partie, Arlind Balaj. 

Balaj u punësua si zyrtar për gjendje civile në Komunën e Istogut. 

Për punësimin e tij në këtë pozitë, anëtari i LDK-së deklaron se nuk është ndihmuar.

“Nuk ma merr menja që ka pasë ndikim partia, çka ka lidhje kjo me parti, edhe tjetërkush me pa kanë në pushtet këtu nuk ka ndikim”, ka thënë Balaj. 

Arsimi i politizuar 

Arsimi në Komunën e Istogut është skajshmërisht i politizuar ku pothuajse secili drejtor i emëruar në shkolla është ose ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me të gjithë drejtorët e shkollave të kësaj komune dhe ka arritur të konstatojë se shumica prej tyre janë pjesë e LDK-së. 

Deklaratat e tyre janë interesante, disa theksojnë se janë krenar që janë pjesë e LDK-së, e disa të tjerë se do të jenë deri në frymën e fundit në këtë parti. 

Dikush pranon se mund të jetë ndihmuar nga partia për t’u përzgjedhur drejtor e të tjerët e mohojnë një gjë të tillë. 

Drejtori i Gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog, Ibrahim Bytyqi, është drejtori i cili nuk e ka mohuar përkrahjen e partisë me rastin e përzgjedhjes si drejtor në Gjimnaz. 

“Unë jam që dy vite drejtor, zëvendësdrejtor jam që 1 mandat e gjysmë, ndihmës ndoshta kam pasë prej partisë po unë nisna edhe prej asaj që nashta e kam meritu pasi punoj që 33 vite i kam me të njëjtin kolektiv kështu që problematikën e shkollës e njoh mirë por nuk muj me e mohu edhe pak përkrahjen e partisë”, ka thënë drejtori Bytyqi. 

Ndryshe nga Bytyqi, drejtori i shkollës fillore “Tre Dëshmorët” në Uçë, Beqir Ibrahimaj, ndonëse pranoi se është anëtar i LDK-së, e mohoi të jetë ndihmuar nga partia. 

“Në atë parti jam po funksion nuk kam veç anëtar i thjeshtë i LDK-së. Jam përzgjedh drejtor pasi unë kam qenë i vetmi me fakultet pesëvjeçar dhe nuk ka pasë ndikim në këtë proces”, tha Ibrahimaj. 

E deklaratën më interesante e dha drejtori i shkollës fillore “Bajram Curri” në Istog, Hasan Blakaj.

Ai deklaroi se është anëtar i LDK-së dhe se do të jetë deri në frymën e fundit. 

“Unë në Lidhjen Demokratike kam hy në vitin 1990 edhe asnjë mos mbetë kam me qenë deri në frymën e fundit në LDK, nuk ka pasë ndikim në punësimin tim, jam zgjedhë në mënyrë shumë demokratike dhe të rregullt ku tre herë është anulu konkursi”, ka thënë Blakaj. 

Drejtoreshë shkolle është edhe Drita Ferati, nëna e deputetit të LDK-së, Ilir Ferati. 

Drita Ferati është drejtoreshë në shkollën e mesme “Mithat Frasheri” në Gurrakoc. 

Ajo ka thënë për KALLXO.com se nuk është ndihmuar nga partia për t’u bërë drejtoreshë. 

“Po jo bre s’ka pasë kurrfarë ndikimi, është hekë një drejtor unë kam qenë sekretare e shkollës, kam apliku dhe jam zgjedh. Nuk ka pasë kurrgjë drejt me t’thanë”, ka thënë Ferati. 

Pozitën e drejtoreshës në shkollë e ka edhe Fatmire Rugova, bashkëshortja e drejtorit të Shërbimeve Publike, Enver Rugova. 

Ajo ka thënë se nuk është ndihmuar nga partia për t’u bëre drejtoreshë. 

“Na jemi familjar të presidentit Ibrahim Rugova, politika nuk më ka ndihmu se kur kam apliku kam qenë e vetmja që i kam plotësuar kushtet edhe e kam pasë trajtimin e udhëheqjes arsimore dhe s’e besoj që më kanë ndihmu”, deklaroi Rugova. 

Drejtor me prapavijë politike doli të jetë edhe Skender Berisha, i cili udhëheq me shkollën “Ismail Qemali”, në Saradran.

I pyetur nëse është ndihmuar nga politika për të qenë drejtor, Berisha tha se ka dhënë dorëheqje nga partia. 

“Nuk vazhdoj me kanë anëtar i LDK-së, kam dhanë dorëheqje me atë ditë që jam zgjedh drejtor shkolle, nuk e besoj që ka ndiku partia, unë katër vjet kam qenë ushtrues detyre dhe kam qenë aktivist edhe me pa ndiku nuk më kishin lënë ushtrues detyre po më kishin bo drejtor. Nuk jam ndihmu hiç, jam vlerësu nga komisioni”, ka thënë drejtori Berisha.

Shëndetësia  

Sikurse sektorët e tjerë në Istog edhe shëndetësia është e politizuar.

Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është zgjedhur Ymer Vuthi, i cili shihet në fotografi duke marrë pjesë në një tubim të LDK-së. 

Në lidhje me prezencën e tij në tubim, Ymer Vuthi ka deklaruar se nuk është pjesë e LDK-së dhe se në tubim ka qenë për të parë programin politik.

“Nuk jam partiak. Nëse e ke fjalën për tubimin në fshatin Cerrcë, çdo parti politike që ka ardh aty unë kam shku, ua kam këqyr programin e tyne”, ka thënë Vuthaj. 

I pyetur nëse ka pasur ndikim politika në emërimin e tij, Vuthaj ka deklaruar se po të kishte ndikim politika drejtor do të mbetej Shefqet Mehmetaj. 

“Jo, ka qenë një konkurs, jam tregu më i miri dhe me pas ndiku politika kish nejt ai që u kanë përpara”, ka thënë Vuthaj.

Para zgjedhjes së Ymer Vuthit, drejtor në QKMF ishte Shefqet Mehmetaj.

Pasi i skadoi mandati i drejtorit Shefqet Mehmetaj kishte mbetur pa punë mirëpo jo për një kohë të gjatë pasi nuk vonoi shumë dhe ish-drejtori zuri një vend në karrigen e stomatologut. 

Në një proces i cili u përsërit tre herë, Shefqet Mehmeti arriti që të sigurojë një vend pune në institucionin ku kishte shërbyer si drejtor për më shumë se 9 vite. 

I pyetur nëse partia kishte ndikim në punësimin e tij, Dr. Shefqeti tha se nuk mund ta përcaktoj nëse ka pasur ndikim dhe se nuk mbanë ndonjë pozitë në LDK përpos faktit që është anëtar i thjeshtë.

“Për besë nuk është që muj me përcaktu a ka pas ndikim politika, un stomatolog jam që mbi 20 vjet dhe kur e kam mbaru mandatin e drejtorit normal që kam pas dëshire që me vazhdu akoma, kam qenë dy mandate drejtor i QKMF, nj mandat kam qenë drejtor komunal i shëndetësisë, po në asnjë konkurs kurrë nuk kemi pas diçka problem vetëm unë kur u përzgjodha dolën probleme nuk e di pse, kam qenë aktivist i LDK-së, anëtar i thjesht jam po nuk kam ndonjë pozitë në parti”, ka thënë Mehmetaj.

Sistemi i shëndetësisë në Istog ka në përbërje një Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare, katër Qendra të mjekësisë Familjare dhe shtatë Ambulanca.

Në Istog materniteti është funksional mirëpo problem del të jetë mungesa e gjinekologëve. 

Ndonëse 40 mijë banorë Istogu po vazhdon të ketë vetëm një gjinekolog, madje me kontratë mbi vepër i cili është i angazhuar vetëm me një gjysmë orari. 

Sporti në Istog 

Po bëhen 17 vite prej momentit kur në Istog kishte filluar të ndërtohet palestra e sporteve.

Kjo palestër në Istog njihet si projekti milionësh, i cili nuk u finalizua për më shumë se një dekadë.

Punimet në këtë objekt sportiv ka pasur në vazhdimësi mirëpo ende nuk dihet se kur do të përdoret nga sportistët e Istogut. 

Akoma pa filluar përdorimi i kësaj palestre një pjesë e madhe e saj shihet e dëmtuar.

Dyer dhe xhama të thyer, parket të prishur dhe kulm që pikon janë pamjet të cilat mund t’i shikojmë sot brenda dhe përreth palestrës.

Palestra

Ndonëse pësoi dëmtime të vazhdueshme, punët në palestër nuk u ndalën.

Vetëm në kulmin e palestrës pati dy herë ndërhyrje. Ndërhyrja e parë i kishte kushtuar Komunës mbi 40 mijë euro ndërsa ndërhyrja e dytë, e cila është duke u bërë tani, i ka kushtuar buxhetit plot 67 mijë euro.

Ndërhyrje po bëhen edhe në parketin e palestrës, i cili ndonëse nuk ka shumë kohë që është vendosur, është dashur që të ndërrohet.

Një tjetër investim i Komunës pësoi dëmtime pak pasi u inaugurua.

Është fjala për fushën e tenisit, e cila është ndërtuar gjatë vitit 2020 në Gjimnazin “Haxhi Zeka”.

Vetëm pak javë pasi u inaugurua, fusha e tenisit u mbulua nga shiu.

Fusha e Tenist

Për gjendjen e saj kishte reaguar edhe asamblisti i PDK-së, Labinot Aliaj, i cili kritikoi Drejtorinë e Sportit me të cilën udhëheq partia e tij. 

“Pasi u inaugurua shkova me vullnet ta shoh atë punë, të cilën e vlerësoja shumë, mirëpo u zhgënjeva kur pash një “pusetë” me ujë. E gjithë kjo falë mosnivelizimit të mirë nga kompania, e cila i kryejti punimet, dhe për dikë si unë, është e pamundur të mos reagoj, sepse Istogun e dua po aq sa veten, dhe punës së keqe nuk mundem t’i them ‘me hajr’”, ka thënë Aliaj. 

Përpos mbulimit nga uji, fusha e re e tenisit “mbeti” edhe pa rrjetë pasi njëra shtyllë u dëmtua në masë të madhe. 

Investime në sport Komuna e Istogut bëri edhe në stadiumin e qytetit. Kjo Komunë ndërtoi tribunat e stadiumit një pjesë e të cilës u ndërtua edhe në tokat private. 

Sipas drejtorit të Sportit, ndërtimi i tribunës u bë edhe në tokë private pasi Komuna mori leje nga pronari i tokës.

“Tribunat janë ndërtuar ne vitin 2020, një pjesë e tribunave në sipërfaqe të vogël toke, janë në tokë private. Pronari i tokës na ka lejuar edhe me marrëveshje që të ndërtohet në atë hapësirë”, tha ai.

Kallxo.com ka shkuar edhe më larg për të parë se kush është pronari i tokës në të cilën janë ndërtuar tribunat e stadiumit. 

Hulumtimi zbulon se pronar i parcelës në të cilën është ndërtuar tribuna është Fazli Bytyçi, aksionari më i madh i klubit KF Istogu.

KF Istogu që nga viti 2019 është bëre shoqëri aksionare në të cilën kanë hise biznesmenët e Istogut e bashkë më ta edhe Ismet Rugova, vëllai i kryetarit Haki Rugova. 

Komuna e Istogut në vitin 2019 i ka dhënë KF Istogut subvencione në vlerë 14.000 euro, ndërsa ka paguar ushqim për futbollistët para çdo ndeshje deri në vitin 2018 në restorantin “Trofta”.

Deponitë ilegale 

Komuna e Istogut po vazhdon të ketë probleme me deponitë ilegale.

Aktualisht deponi ilegale ka në hyrje të Istogut, në fshatin Kaliqan si dhe në afërsi të fshatit Rakosh.

Ndonëse nganjëherë po pastrohet nga iniciativat qytetare, deponia ilegale në Kaliqan nuk po zbrazet kurrë.

Deponia Kaliqan

Komuna me një inspektor të ambientit nuk po arrin që t’i zhdukë deponitë ilegale tani e disa vite ndonëse ka qenë premtim i vazhdueshëm i kryetarit. 

Istogu edhe pse gati 40 mijë banorë po vazhdon që të ketë vetëm një inspektor të ambientit, i cili duhet të kujdeset që t’i ndëshkojë personat që degradojnë mjedisin. 

Me vetëm një inspektor të ambientit, Istogu ka shqiptuar gjoba për degradimin e ambientit në vetëm 18 raste gjatë vitit 2019. 

Ky numër i vogël i gjobave të shqiptuara brenda një viti ka bërë që personat që hedhin mbeturina në këto deponi të mos vetëdijesohen. 

Dëmet nga era

Komuna e Istogut është e njohur si zonë në të cilën fryn erë e madhe, e cila shpeshherë shkakton dëme të mëdha si për objektet publike ashtu edhe për shtëpitë private, serat bujqësore dhe objektet e tjera. 

Era e fundit e cila fryu në komunën e Istogut gjatë vitit 2020 la pas shumë dëme të mëdha.

Vetëm gjatë këtij viti vlera e dëmeve nga era në Istog vlerësohet të jetë mbi 1.5 milion euro.

Një numër i madh i shkollave dhe objekteve publike kanë pësuar dëmtime ndërsa më rëndë gjendjen e kanë rreth 2.000 familje.  

Shtëpi pa kulme, shtylla elektrike të rrëzuara, xhama të thyer e lastra në tokë ishin pamjet të cilat ishin shfaqur në KALLXO.com dy ditë pas erës së madhe në Istog. 

Objekteve publike Qeveria dhe Komuna u doli në ndihmë ndërsa rreth 2.000 qytetarë të Istogut u desh të bëjnë hall vetë pasi pushteti nuk ua zgjati dorën. 

Në lidhje me sanimin e dëmeve Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti kishte ndarë 126 mijë euro për ndërhyrjet në shkolla ndërsa 45 mijë ishin ndarë nga Komuna.

Kurse numri i qytetarëve të cilëve Komuna u ka dalë  në ndihmë mund të numërohet në gishta.

Sipas Srejtorisë së Shërbimeve Publike në Istog vetëm 7 nga rreth 2.000 familje morën ndihmë nga Komuna.

Dëme të mëdha nga era ishin shkaktuar edhe në vitin 2012 dhe 2017.  Dëmet e vitit 2012  kanë qenë mbi 1 milion kurse në vitin 2017 dëmet e shkaktuara kapin shifrën e mijëra eurove.

Trajtimi i ujërave të zeza

Ujërat e zeza po vazhdojnë të jenë problem për qytetarët e Istogut. Disa fshatra vazhdojnë të mbeten pa rrjet të kanalizimit ndërsa në ato ku ka ujërat e zeza ose po derdhen në lumë ose në toka bujqësore.

Pa rrjet të kanalizimit janë disa banorë të fshatit Tomoc. Muharrem Shatri banor i këtij fshati ka treguar se shumë peshq kanë ngordhur në lumin Shushicë si pasojë e ujërave të zeza që po derdhen në lumë. 

“Hall tash për tash është kanalizimi, na krejt ujërat e zeza i derdhim në lumë, kur po i ujitim livadhet po na shkojnë dëm, na kanë premtu disa herë po s’ka kurrgjë, ujërat po derdhen në lumin Shushicë e pastaj në lumë të Istogut, këtu ka pasë plot peshq, tash s’ka kurrgjë”, ka thënë Shatri. 

Të dhënat nga Komuna tregojnë se vetëm 50% e saj është e mbuluar me rrjetin e kanalizimit. 

Probleme me ujëra të zeza kanë edhe banoret e fshatit Uçë. Sejdi Fekaj banor i këtij fshati ka thënë se nuk mund ta shijojë një kafe në oborrin e tij për shkak të erës së ujërave të zeza.

“Problemi kryesor është uji dhe kanalizimi, qetu e kem një kru, burim të bjeshkës që kanë marrë mbi 30 familje tash këtë ujë po e marrim me rrezik shkaku i ujërave të zeza të cilat po kalojnë mbi tokë, po i vjen era, s’mundet njeri me marr ujë. A ka gjë ma vështirë se mos me mujt njeri me pi ni kafe në oborr t’vetin prej erës, uji vjen me ndërprerje”, ka thënë Fekaj. 

Përpos ujërave të zeza problem për banorët e Uçës mbetet uji i pijshëm. 

Banorët e kësaj zone duhet të marrin udhë me kilometra që të furnizohen me ujë të pijshëm. 

“Çdo vit po premtojnë që kanë me e rregullu, jam plakë, nuk po kam as shume forcë edhe pa ujë po është edhe më e vështirë pleqnia. Vjet kam pak që me la edhe me bunar. Si të ka ujë i marr bidonat, kovet i mbushi që kur të ndalet me pasë çka me pi e me çka me u pastru”, tha Tahire Ferataj.

Tahire Ferataj banore e këtij fshati ka thënë se përkundër vjetëve që ka shpeshherë po i duhet të lahet me ujin e nxjerrë nga bunari. 

Për zgjidhjen e këtyre problemeve me ujë në fshatrat e “mbi vadës”, Komuna e Istogut  ka nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Austrisë në të cilën përfshihet projekti në vlerë mbi 5 milionë euro. 

Premtimet e kryetarit

Kryetari Haki Rugova nuk është se premtoi shumë gjatë debateve komunale. Ndonëse pati pak premtime pati shumë më pak realizime. 

Dy nga premtimet kryesore të kryetarit Haki Rugova gjatë debateve komunale ishin përfundimi i palestrës sportive dhe përfundimi i memorialit Ibrahim Rugova

Për palestrën sportive kryetari Rugova kishte dhënë premtim se do të përfundonte gjatë vitit 2018 mirëpo janë bërë gati tre vite nga zgjedhjet komunale dhe në palestër punët nuk kanë të ndalur. 

Akoma nuk dihet se kur do të jetë e gatshme palestra e sporteve, e cila ka 17 vite që ka filluar të ndërtohet. 

Një projekt tjetër madhor ishte memoriali Ibrahim Rugova për të cilin i pari i Istogut kishte deklaruar se do të përfundojë gjatë 2018-tës, mirëpo edhe ky projekt nuk është inauguruar akoma dhe është në pritje të punimit të shtatores së presidentit të ndjerë. 

Kryetari gjatë debateve kishte premtuar se menjëherë pas zgjedhjeve do t’i publikonte listat e uzurpatorëve të komunës si dhe listat e borxhlinjve ndërsa as njëra dhe as tjetra nuk janë publike në portalin e Komunës. 

Komuna nuk ka dhënë ndonjë arsye për mospublikimin e listës së borxhlinjëve  vetëm se e ka konfirmuar se ajo nuk është publike ndërsa për listën e uzurpatorëve kanë deklaruar se janë në përpilim të listës. 

Fjalën e mbajti për ndërtimin e çerdhes së re në Istog. Çerdhja e financuar nga Ministria e Arsimit është duke u ndërtuar në Istog.

Për projekte të reja nuk është se premtoi shumë mirëpo gjatë debateve premtoj se do t’i përfundojë disa rrugë, të cilat i kishte filluar. 

Rruga në Cerrcë, Dubravë si dhe Shushicë-Uçë kanë përfunduar gjatë këtij mandati dhe edhe për këto projekte kryetari e mbajti fjalën. 

Mirëpo si pasojë e mosinvestimit në projekte kapitale qeverisja e Istogut në vitin 2018 nuk i fitoi mbi 100 mijë euro nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal. 

Sipas MAPL-së, Komuna e Istogut nuk është kualifikuar për grantin e performancës komunale pasi nuk e ka shpenzuar të paktën 75 % të buxhetit për investime kapitale.

Përformancë e mirë nuk është treguar as në menaxhimin e Komunës. MAPL e ka vlerësuar nën 50% menaxhimin komunal në Istog. Menaxhimi komunal ka marrë 10 pikë nga gjithsej 21 pikë të mundshme.

Pabarazia gjinore në pushtet

Ndonëse kishte premtuar se do të respektonte barazinë gjinore në kabinetin e tij, kjo nuk ndodhi. 

Komuna e Istogut ka 10 drejtori, ku në nëntë prej tyre udhëheqin burrat ndërsa vetem një drejtori udhëhiqet nga një grua. 

Edona Bujupi Loxha është e vetmja  grua e cila udhëheq me drejtori në Istog. Ajo udhëheq Drejtorinë e Administratës. 

Shpenzimet e Komunës 

Mbi 44 mijë euro të buxhetit të Komunës së Istogut kanë shkuar në dreka dhe darka zyrtare vetëm gjatë vitit 2018.

Kjo shumë e shpenzimeve nëpër restorante tregon luksin e madh që bëjnë zyrtarët e Istogut. Dosja ‘Sa han shefi’ e publikuar në KALLXO.com, kishte treguar se zyrtarët komunalë të Istogut janë meraklinj të birrës dhe rakisë. 

Në këtë dosje tregohet se zyrtarët e Komunës së Istogut me para të buxhetit komunal kishin pirë rreth 200 birra e mbi 40 gota raki.

Vetëm zyra e kryetarit Haki Rugova ka shpenzuar 22.719 euro në dreka dhe darka gjatë një viti kurse gjysma tjetër e shpenzimeve është bërë nga drejtoritë komunale. 

Shumica e kësaj shume ka shkuar në arkën e restorantit “Trofta”. Vetëm zyra e kryetarit ka paguar rreth 18 mijë euro në këtë restorant ndërsa 2 mijë euro te restorant “Freskia” dhe 2.500 në restorant “Merkuri”.

Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është Drejtoria e cila prin me shpenzime për dreka dhe darka. Kjo Drejtori gjatë 2018-tës ka shpenzuar 7.664 euro në reprezentacion. 

Pas saj vijnë Drejtoria e Shëndetësisë me 3.982 euro, ajo e Administratës me 3.047 euro, Drejtoria për Buxhet dhe Financa 1.356 euro, Drejtoria e Bujqësisë 1.138 euro, Inspektorati 789 euro, Kadastri 811 euro, Emergjenca 535 euro, Urbanizmi 696 euro ndërsa Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik 380 euro.

Të larta janë edhe shpenzimet në karburante dhe telefon.

Për dy vite qeverisje Komuna e Istogut ka shpenzuar 18.939 euro në karburante, prej tyre 3.726 janë shpenzime të kryetarit.

Më të larta janë shpenzimet në karburant të kryetarit sesa të Drejtorisë së Inspektoratit, e cila ka për detyrë inspektimet dhe daljen në terren. 

E më shumë se të gjitha drejtoritë e tjera në karburant ka shpenzuar Drejtoria për Buxhet dhe Financa. Kjo Drejtori ka shpenzuar 4.305 euro në karburante gjatë dy viteve. 

Shpenzime më të larta se karburanti ka telefoni i zyrtarëve të Istogut. Kjo komunë për dy vite ka paguar mbi 35 mijë euro për thirrjet telefonike.

6.089 euro janë shpenzuar në telefon vetëm nga zyra e kryetarit Haki Rugova.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).