Banorët e Zveçanit me ankesa për ndotje dhe mungesë të infrastrukturës

Telashe të ndotje industriale dhe mungesa e rrugëve të shtruara janë vetëm disa nga ankesat që banorët e komunës së Zveçanit i kanë.

Komuna e vogël në veri të vendit që udhëhiqet nga Vuçina Jankoviq është e kritikuar edhe nga banorët por edhe nga institucionet qendrore që e rendisin shumë ulët sa i përket performancës në qeverisje.

Përveç kësaj, qeverisja e komunës nuk shquhet për trasnparencë. Kryetari Jankoviq nuk ka pranuar të marrë pjesë në emisionin “Jeta në Komunë” për tu përballur me ankesat e qytetarëve si dhe gjetjet nga hulumtimi për problemet e Zveçanit.

Banorët tregojnë hallet e  përditshme të jetës në Zveçan

Qytetarët e Zveçanit jetojnë në një zonë të ndotur ku mbetjet e Trepçës vazhdimisht paraqesin rrezik për banorët. Në mungesë të kujdesit institucional në disa zona janë krijuar edhe deponi ilegale të cilat ndotin ujërat e zonës.

Në mungesë fondesh për të përkrahur investimet në zona të caktuara banorët kanë mbetur pa rrugë dhe investime minimale. Banorët e fshatit Velishiq kanë probleme të mëdha me rrugën e fshatit e cila nuk është rregulluar asnjëherë.

“I jemi drejtuar komunës disa herë që të na ndihmojnë por ata po e zgjasin dhe në fund kemi ngelur pa rrugë dhe sot e kësaj dite është ashtu. Kurrsesi! Nuk po e pastrojnë! Por, po mbijetojmë. Ecim këmbë kur rruga nuk është e pastër, po e kalojmë disi. Kanë premtuar. Vitin e kaluar e kemi dorëzuar një kërkesë për rregullimin e rrugës por ata po e stërzgjatin dhe nga ajo rrugë edhe sot nuk ka asgjë. Vet po i rregullojmë disa pjesë ku rruga është shumë e keqe. Edhe vet mund të shihni se si duket rruga mbrapa nesh. Gjithandej duket ashtu. Të gjitha po i bëjmë vet. Komuna kurrsesi nuk dëshiron të na ndihmojë”. Ka thanë një qytetar i këtij fshati. 

Probleme me rrugë kanë edhe banorët e Bajnskës, fshat po ashtu i Zveçanit. Rruga prej 2 kilometrash do e lehtësonte jetën e tyre.

“Mund të them se unë personalisht ju kam drejtuar ish-kryetarit të komunës. Kjo ka ndodhur dikur në mes të vitit 2008 dhe 2012. Nuk më kujtohet saktësisht. Kryetari i atëhershëm më ka thënë se ajo rrugë është e paguar por këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhër të kontraktorit. Pothuajse më thanë që ai kontraktori kishte fuqi dhe se nuk mund t’i bëjnë asgjë. Siç e shihni, kjo rrugë kalon pranë shkollës. Është rruga më e shkurtër për në Novi Pazar. Asfalt nuk ka”. Ka thënë një banor i këtij fshati. 

Në Zveçan, historitë ku fëmijët duhet të mbathin çizme të najlonit për të shkuar në shkollë në rrugën plot baltë janë të shpeshta. Mungesa e rrugës së asfaltuar dhe urës iu sjell probleme të mëdha disa familjeve në këtë komunë.

“Jemi ankuar, kanë ardhur, kanë xhiruar, kanë premtuar se do ta ndërtojnë, por nga ajo nuk ka asgjë. Gjithnjë duhet të ecim nëpër ujë dhe nëpër baltë. Fëmijët shkojnë në shkollë dhe kështu vuajmë. Në dimër nuk mund të dalim nga akulli, nga uji dhe kështu… Nuk mund të kalojmë me makina. Për shembull, urën e kemi nisur vet pastaj na ka ndihmuar komuna dhe e kemi rregulluar. Kështu”. Thotë Mira Nedelkoviç banore e këtij vendi. 

Në zona të thella të komunës nuk ka kujdes shëndetësor nuk ka ujë dhe nuk ka rrugë. Banorët e pakët të Breznes edhe pse për vite të tëra kanë kërkuar rrugën dhe ujin ende nuk kanë përgjigje. Si rrjedhojë ata kanë nisur të zhvendosen për në zona të urbanizuara të komunës.

“Ne jemi ankuar. Unë kam qenë një prej iniciatorëve që e kemi dërguar kërkesën. Nuk e di më as se si ti quaj ata. Njëri është kryetar i komunës dhe tjetri është kryetar i Institucioneve ekonomike. Ata janë të përkohshëm. Ata nuk e kuptojnë që janë të përkohshëm dhe sa të mirë janë, populli do ta tregojë. Një kërkesë, shkresë apo lutje, si të doni, ua kemi dërguar atyre në formë të shkruar që të mos ankohen që vetëm shkojmë, kërkojmë dhe ikim”. Ka thënë Zoran Radojeviq. 

Banorët e tri fshatrave ku banojnë shqiptarët në Zveçan vazhdojë ta kenë problem punësimin kanalizimin dhe udhëtimin për nxënësit e tyre. Në autobus që barte nxënësit është ndërprerë në kohën e fundit. Këtë dhe shumë probleme të tjera i ka përmendu përfaqësuesi i këtij lokaliteti në asamblenë e Zveçanit Lavdim Peci. 

“Probleme kemi në tri fshatrat e komunës së Zveçanit papunësia është problem, problem tjetër është transporti për nxënës të shkollës e gjithashtu as kanalizim nuk ka”, ka thënë Peci. 

Zveçani tregoi performancë të ulët në matjen e Ministrisë së Pushtetit Lokal

Komuna e Zveçanit, ne raportin e përformacës i cili hartohet nga Ministrisë e pushtetit lokal renditet e 32-ta nga 38 komuna. Në 60 indikatorë, Zveçani ka marrë zero pikë ndërsa një pjesë e vlerësimit negativ është dhënë për  transparencë, arsim, barazi në punësim e infrastrukturë.

Edhe në raportin e auditorit gjeneral kjo komunë ka vërejtje pasi që nuk arrin të mbledhë asnjë të hyra nga taksat komunale. I njëjti raport konstaton se komuna ka problem në punësime dhe në mënyrën se si i menaxhon veturat zyrtare. Sipas auditorit komuna nuk ka rregullore për përdorim të veturave ndërsa janë konstatuar edhe parregullsi në pagesat e subvencioneve për banorët e zonës.

Zveçani sipas auditorit është ndër komunat e vetme në vend ku nuk është regjistruar pasuria.

Skulptori histori suksesi në Zveçan

Në komunën ku qeverisja lë shumë për të dëshiruar një skulptor ka nisur të gdhendë në dru dhe të shndërrohet në model të njeriut që me iniciativën e tij krijon .

“Gdhendjen e drurit e kam mësuar vet dhe me këtë zanat merrem në mënyrë intensive për shtatë apo tetë vjet. Edhe pse ne si fëmijë ishim përherë të lidhur me drurin dhe me prerjen e drurit në kohë të lirë, tani në këtë moshë të shtyrë ky zanat është shndërruar në një dashuri të madhe dhe në këtë kohë me të vërtetë paraqet një freski dhe lumturi. Është lumturi për arsye se në këtë mikro-jetë jemi të lidhur me zinxhirë nga kjo sëmundje ngjitëse. Thjesht, koha që shpenzohet në dizajn dhe koha e shpenzuar në mënyrën më fisnike për mua është koha që e kaloj me drurin, të cilin unë me të vërtetë e dua, e vlerësoj dhe e respektoj dhe në mënyrën time e bëj të përhershëm”, ka thënë Çeslav Milisavleviq

Komuna e Zveqanit edhe pse i është kërkuar të japë përgjigje në të gjitha çështjet e ngritura nuk ka pranuar të flasë. Transparenca ka mjaft probleme në këtë komunë dhe për këtë arsye është vlerësuar me zero pikë nga raporti i performancës së ministrisë së pushtetit lokal.