Komuna me madhësinë e fshatit që nuk po i del në krye halleve të banorëve

Ujërat termal me veti shëruese që rrjedhin nën territorin e vogël të Komunës së Kllokotit nuk po arrijnë të shërojnë edhe problemet që e përshkojnë banimin në këtë zonë.

Kllokoti që dikur ishte fshat u shndërrua në komunë me Pakon e Ahtisarit. Sot, kjo komunë që udhëhiqet nga Bozhidar Dejanoviq i Listës Serbe nuk ka arritur të sigurojë infrastrukturë urbane, shërbime komunale esenciale si dhe zhvillim ekonomik.

Banorët ankohen për mungesë të ujit të pijes, kanalizime e infrastrukturës.

Megjithëkëtë, kryetari Dejanoviq nuk ka pranuar të marrë pjesë në debatin “Jeta në Komunë” dhe të përballet me problemet dhe pyetjet e qytetarëve dhe të asamblesë.

Kritika për ekzekutivin komunal ka asamblisti, Hidajet Ahmeti.

“Transparenca vetëm si koncept, pasi nuk ekziston në praktikë, nuk është ashtu siç duhet. Raportimet për shpenzimet, për shembull, nga komuna nuk japin detaje, janë vetëm formale nuk specifikohen shpenzimet gjithashtu edhe barazia gjinore keq”, thotë ai.

Hidajet Ahmeti, Asamblist

Ahmeti thotë se ka adresuar shumë herë problemet e fshatit prej nga vjen edhe vet, Mugillës, por telasheve të banorëve nuk iu përgjigj asnjëherë qeverisja lokale.

Në këtë fshat mungon uji i pijes, nuk ka kanalizim, nuk ka ndriçim publik ndërsa zona e fshatit është e mbushur me mbeturina dhe ujërat e zeza derdhen në lumin që kalon nëpër fshat.

Në mungesë të ujësjellësit banorët obligohen që ujin e pijës ta blejnë ose të furnizohen në fshatrat përreth.

“Ujin e sigurojmë nga fshatrat përreth dhe e blejmë. Ne nuk kemi ujësjellës funksional, arsyet nuk i dimë saktësisht”, thotë Fatlum Shaqiri nga Mugilla.

Ndriçimi është një problem tjetër për banorët e zonës. Gjatë natës ata nuk lëvizin në këmbë pasi rruga e fshatit nuk ka ndriçim publik

“Nuk kemi ndriçim, kemi kërkesë për kryetarin e komunës që të na rregullojë ndriçimin”, thotë Shaqiri.

Në Kllokot gjen edhe raste kur rrugët ishin projektuar e buxhetuar mirëpo në fund asfalti shkoi diku tjetër

Kjo ka ndodhur në rrugën ku jeton Ahmet Misini. Rruga ishte projektuar për tu ndërtuar afër shtëpisë së tij por asfalti u shtrua në një zonë tjetër.

Për këtë çështje, Misini ka dorëzuar një dosje në Prokurorinë e Gjilanit.

“Rruga që disa vite është mbetë në gjysmë…qeverisja lokale e dërgoi kah rruga e kishës e këtë pjesë e ka lënë në gjysmë. Për këtë rast kam qenë edhe në Prokurorinë e Gjilanit dhe jam në pritje se çfarë do të ndodhë”, thotë Misini.

Ahmet Misini, Kllokot

Vërbovci është fshat tjetër në Kllokot. Problemet në këtë fshat janë pothuajse të njëjta. Nuk ka ujë të pijes mungon kanalizimi ndërsa banorët kanë hall të gjejnë punë.

Banorët në këtë fshat ankohen edhe për papunësinë. Ata thonë se nuk perspektivë në këtë komunë.

“Këtu i kam shtëpitë, ujë nuk kemi as kanalzim. Ujin e blejmë, por unë jam i papunë dhe kërkoj nga komuna që të mendojë edhe për zhvillim ekonomik”, thotë Sllobodan Jovanoviq nga fshati Vërbovc.

Ujërat e zeza, Kllokot

Toka e Kllokit njihet si pjellore dhe bujqësia është ndër veprimtaritë kryesore të banorëve. Mirëpo për ta ende nuk ka një sistem të shitjes dhe plasimit të produkteve në treg. Madje në Kllokot nuk ka një hapësirë të dedikuar si treg ku bujqit do mund t’i shisnin prodhimet e tyre.

Zoran Nojkiq, bujk nga Kllokoti ka një kërkesë për qeverisjen lokale.

“Tregu është problem i madh, por ne jemi bujq, ne duhet të punojmë. Nuk kemi kontrata me asnjë firmë, por mundohemi. Ja me këto rrugë tash që po i bëjmë dhe planifikojmë që të vendosim edhe ndriçim të rrugës, që nga rruga kryesor Viti – Kllokot për Mogillë dhe mendojmë se do të tërheqim dikë, ndonjë investues i cili ndoshta do të vij e të ndërtoj ndonjë fabrikë pasi me të vërtetë jemi prodhues të mëdhenj”, thotë ai.

Qeverisja lokale nën llupën e Ministrisë së Pushtetit Lokal

Qeverisja e Dejanoviq kritikohet për mungesë transparence ndërsa e tërë komuna menaxhon një buxhet prej 300 mijë eurosh për investime kapitale.

Buxheti i vogël dhe të hyrat e ulëta nuk arrijnë të prodhojnë zgjidhje për problemet e shumta të banorëve.

Raporti i Performancës i Ministrisë së Pushtetit Lokal e nxjerr komunën e Kllokotit në mesin e komunave me qeverisje jo të mirë.

Kjo komunë listohet si komuna e 28-ta në këtë raport ndërsa ka 51 tregues të cilët janë vlerësuar me zero pikë.

Kështu, qeverisja lokale dështoi në shumë prej fushave duke përfshirë transparencën, llogaridhënien e investimet kapitale.

Me raport jo të mirë të performancës komuna ka arritur të zbatojë njërin prej standardeve, atë të barazisë gjinore.

Të dhënat tregojnë se nga pesë drejtori në Kllokot, tri udhëhiqen nga gratë

Megjithatë, banorët e Kllokotit kanë shumë probleme me ujë të pijes, kanalizim e menaxhim të mbeturinave.

Komuna e Kllokotit ka një buxhet prej 1 milionë e 200 mijë eurove ndërsa mbi 700 mijë prej tyre shkojnë për paga dhe mëditje.

Kjo komunë në vitin 2019 harxhoi vetëm 333 mijë euro në investime kapitale, edhe pse banorët e zonës ankohen për mungesë investimesh.

Mal me probleme për Komunën e Kllokotit gjeti edhe Raporti i Auditorit. Anise komunë e vogël, Auditori dha 19 rekomandime për Kllokotin.

Prej tyre, qeverisja lokale zbatoi pesë rekomandime, një është në proces e tetë të tjerë nuk janë adresuar fare.