Komuna e Parteshit FOTO-KALLXO.com

Telashet e qeverisjes lokale në Partesh

Është ndër komunat më të vogla në vend, por në Partesh qytetarët përballen me probleme të shumta.

Qeverisja komunale dështoi të ofrojë shërbimet publike ndërsa raportet e monitorimit e nxorën me nivel të dobët të performancës e me shumë mangësi në menaxhim.

Komuna e Parteshit udhëhiqet nga Dragan Petkoviç i Listës Serbe. Sikur të gjithë kryetarët tjerë të komunave nga kjo parti, as Petkoviç nuk pranoi të ballafaqohet në emisionin “Jeta në Komunë” për hallet e banorëve të Parteshit.

Me një buxhet prej pak më shumë se 1 milion euro, Komuna e Parteshit është ndër komunat me buxhetin më të  varfër në vend.

Në fondin e investimeve kapitale kjo komunë ka vetëm 164 mijë euro ndërsa Auditori i Përgjithshëm gjeti se edhe në kaq pak, pushteti i drejtuar nga kryetari Petkoviç pati gabime në menaxhimin e parave.

Sipas raportit të Auditorit, gjatë vitit 2019 komuna pati keqklasifikim të shpenzimeve pasi kishte bërë pagesa nga kategoria e investimeve duke shfrytëzuar fondet nga mallrat dhe shërbimet.

Gjetjet treguan se kjo komunë pati probleme edhe në ndarjen e fondeve për OJQ-të.

Komuna kishte lidhur një memorandum me një OJQ por jo edhe kontratë. Sipas Auditorit, kjo kishte ndodhur për shkak të mos përvojës.

Mal me probleme gjeti edhe Raporti i Performancës i cili përgatitet nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Parteshi doli në fund të tabelës, duke u renditur në vendin e 32-të. Në 50 pika të treguesve të performancës, Parteshi u vlerësua me zero pikë.

Këtu hyjnë zero pikë në transparencë, në punësimin e personave me nevoja të veçanta në transportin publik dhe në menaxhimin e mbeturinave.

Ekzekutivi komunal ka gjashtë drejtori, por asnjëra nga to nuk udhëhiqet nga gratë. Kështu, Komuna e Parteshit nuk përmbushi as barazinë gjinore në drejtimin e drejtorive.

Komuna e cila nuk numëron më shumë se tre fshatra, sot vazhdon të ketë probleme në transport ndërsa komuna dështoi edhe në menaxhimin e mbeturinave. Bërlloku shihet nëpër shumë zona të kësaj ane. Ndotja është njëri nga problemet me të cilat përballen banorët e Budrigës së Poshtme.

Banorët rrëfejnë se i pari i komunës nuk i viziton asnjëherë ndërsa edhe kërkesat që bëhen për problemet nuk u morën parasysh.

Lumi i fshatit është i ndotur dhe gjatë verës kundërmon erë të keqe.

“Duhet me ardh ai, me kqyrë si kryetar i komunës, me këqyrë e me vetë njerëzit a keni naj problem a jo, jo veç me nejtë në zyre. Hala se kam pa qatë kryetar të komunës”, thotë Damjan Rishtiq, banor i fshatit.

Në Budrigë të Poshtme përpos ndotjes banorët nuk kanë as ujë të pijshëm derisa atë detyrohen ta blejnë. Një investim në ujësjellës i qeverisjes lokale u bë kohë më parë, por ai nuk u funksionalizua asnjëherë.

Në hallet e banorëve punësimi dhe zhvillimin ekonomik janë po ashtu probleme të mëdha. Goran Dimiq nga fshati Zhiti jeton në një kasolle druri në kushte të vështira të jetesës.

“Nuk ka. Nuk ka kushte. Nuk ka as banjo, asgjë. Atje te babai dhe te vëllai nuk mund të shkoj sepse janë shumë anëtarë të familjes, edhe unë jam anëtar i familjes, por nuk mundem. Në komunë në Pasjan dhe në komunë në Kufcë. Të gjithë më kanë thënë dorëzo kërkesë, nga ato kërkesa nuk ka pasur asgjë”, thotë ai.

Varfëria dhe kushtet e jetesës i shtyjnë të rinjtë e kësaj zone si në shumë zona të tjera të Kosovës që ti braktisin fshatrat për një jetë më të mirë.

“Rini nuk ka sepse nuk ka punë, nuk ka kush t’i punësojë, nuk ka firma, nuk ka asgjë. Këtu punësohen vetëm në arsim, shëndetësi. Unë jetoj me të ardhura minimale, 11.000 (dinarë) unë, 11.000 (dinarë) bashkëshorti, 22.000 (dinarë). Me çka të jetoj. Kam pronën, por kot pasi nuk kam traktor, nuk kam veturë. I kam dy nipër nga djali i madh, ka shkuar në Kamenicë të jetojë. Ka ikë saktësisht nga serbët të cilët nuk ia kanë dhënë ndihmën sociale të shqiptarëve. Dikujt po, e dikujt jo” thotë qytetari tjetër Stana Gojkoviq.

Punësimi është problem kryesor  edhe për  Zhivadinka Saviq. Ajo pret  mundësinë që vajza  e saj të punësohet në një konkurs të Qendrës Kryesore Familjare.

Po, mendoj se tani ka mundësi që të ketë punësim, pasi ka një konkurs. Të gjithë po shpresojmë se do të ketë punësim.

“Po kërkohen infermiere, teknikë. Edhe vajza ime tani ka konkurruar, edhe ajo është nga Koretishta, Sanja Saviq. Dhe shpresojmë se do t’ia dalim”, thotë ajo.

Qeverisja lokale la pas dore edhe sektorin e kulturës në këtë zonë. Qendra e Kulturës në Partesh është e mbyllur dhe të rinjtë nuk kanë ku të zhvillojnë aktivitete.

“Fatkeqësisht ka vite që është kështu, prej se mbaj mend është e mbyllur kështu. Para 8 viteve kemi marrë nismën për krijimin e një shoqërie kulturo-artistike në këtë shtëpi, kemi filluar për një muaj me disa miq por nuk hasëm në mbështetje dhe na u desh të ndalemi. Do të thotë unë nuk e mbaj mend se këtu ndonjëherë ka pasur ndonjë shfaqje apo… Asgjë. Asgjë fare. Krejt kjo është lënë pas dore. T’u them të drejtën me të rinjtë nuk merret askush dhe mendoj se 80% të të rinjve vetëm duan të largohen nga këtu e të shkojnë kudo. Të filloj nga vetja, të them se e qëlloj kokën për muri, ka dy vite që i kam përfunduar studimet për ekonomi dhe ende jam pa punë por kam vullnetin dhe dëshirën të qëndroj e të jetoj këtu”, thotë Ivan Cvetkoviq, një i ri nga Komuna e Parteshit.