Babai i Agonis Tetajt kërkon përjashtimin e trupit gjykues në rastin e vrasjes së të birit

Babai i të ndjerit Agonis Tetaj, Isuf Tetaj, ka parashtruar kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues të Gjykatës së Pejës që është duke gjykuar vrasjen e Agonis Tetajt.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i palës së dëmtuar, Berat Tmava.

Sipas avokatit ende gjykata nuk ka vendosur për këtë kërkesë.

Gjykata e Pejës sot pritet të marrë vendim lidhur me rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.

Sipas një përgjigje të Gjykatës së Pejës për KALLXO.com, sot në shpallje të aktgjykimit ose do të rihapet shqyrtimi ose do të shpallet aktgjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt sipas aktakuzës së re që e ngarkon Shaban Gogajn për vrasje nga pakujdesia.

Kujtojmë se Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka marrë lëndën e vrasjes së Tetajt nga prokurori Agron Uka për t’ia ndarë dikujt tjetëe  si dhe ka kërkuar nga gjykata që rasti të rihapet.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe  Besnik Berisha avokati mbrojtës i të akuzuarit në këtë rast, Shaban Gogajt u përfshinë në një situatë kontraverse ditëve të fundit, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Këto dëshmi dolën në sipërfaqe pasi prokurori Uka kishte vendosur që në ditën e fundit të gjykimit ta ndryshonte veprën e të akuzuarit Gogaj nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Kjo shkaktoi reagime të mëdha, sidomos nga familja e të ndjerit, Agonis Tetaj të cilët shpërndanë videon nga kamerat e sigurisë që kishin kapur momentin e vrasjes së Agonis Tetajt. Përmes videos, familja pretendon se vrasja nuk ka qenë aksidentale siç pretendon prokurori.

(Pamje të Rënda) Momenti i vrasjes së Agonis Tetajt