Gjykimi lidhur me vrasjen e Agonis Tetajt. FOTO-Vyrtyte Gërvalla/KALLXO.com

Tensione në gjykimin për vrasjen e të riut në Deçan, prokurori lehtëson akuzën

Në ditën kur parashihej t’i vinte fundi procesit të gjykimit lidhur me vrasjen e Agonis Tetajt, akuza e Prokurorisë ndryshoi.

Agonis Tetaj ishte vrarë në vendin e tij të punës, në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan.

Për këtë vrasje po akuzohet 20-vjeçari Shaban Gogaj, djali i pronarit të kompanisë.

Sipas aktakuzës, ai e privoi nga jeta Agonis Tetajn duke e qëlluar me armë zjarri në kokë.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga prokurorja e Prokurorisë së Pejës, Sahide Gashi, e cila e kishte cilësuar këtë rast penal si vrasje e rëndë.

Prokurorja Gashi ishte përjashtuar nga kjo çështje pas kërkesës së avokatit Besnik Berisha, i cili kishte pretenduar në njëanshmëri të prokurores.

Sot pas dy viteve që ka ndodhur rasti, prokurori i Gjilanit, Agron Uka, e rikualifikoi veprën penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, e cila është më pak e dënueshme.

Tani për këtë vepër penale Gogajt mund t’i jepet dënimi maksimal prej 5 viteve burgim.

Sipas prokurorit të rastit në asnjë rrethanë gjatë shqyrtimit nuk është vërtetuar elementi i dashjes, andaj edhe ka pasuar ky rikualifikim.

Ky ricilësim i aktakuzës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj ngjalli pakënaqësi  e tensione në sallë, ku familjarët e viktimës, nëna, babai dhe bashkëshortja e të ndjerit lëshuan sallën.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Berat Tmava tha se për këtë veprim të prokurorit do të njoftohet Kryeprokurori i Shtetit.

Gjykimi vazhdoi pa praninë e palëve të dëmtuara.

Në seancë, i akuzuari Gogaj, pas ndryshimit të aktakuzës, e pranoi fajësinë për veprën – vrasje nga pakujdesia.

“Ky kualifikim juridik reflekton gjithçka çka ka ndodhur ditën kritike, identiteti i kësaj aktakuzë është drejtësia e munguar gjatë gjithë hetimit deri më sot”, ishin fjalët e mbrojtësit të palës së akuzuar, avokatit Besnik Berisha.

Berisha tha se gjykata me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin duhet të këtë parasysh pranimin e fajësisë, pendimin e shprehur nga i mbrojturi i tij, si dhe pasojën që vazhdon ta vuajë Shaban Gogaj edhe këto ditë.

Sa i përket familjes së të dëmtuarit, Berisha deklaroi se edhe së paku 35 vite ata do të marrin pagën që ka marrë viktima, duke shtuar edhe se familja Gogaj merr përsipër pagesën e kredisë për blerjen e banesës që familjarët e bashkëshortes së Agonisit i kanë blerë asaj.

I akuzuari Shaban Gogaj para Gjykatës shprehu pendimin për veprimet e tij.

Në këto rrethana përfundoi edhe gjykimi në këtë çështje penale.

Shpallja e aktgjykimit bëhet të premten.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F.Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Sot kjo aktakuzë ndryshoi, duke hequr elementin e dashjes në veprimet e Shaban Gogajt.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.