Avokatët e Thaçit dhe Veselit e sfidojnë dëshmitarin Abrahams me kontradiktat e raporteve të tij

Avokatët e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit e kanë përballur me kontradiktat e raporteve të tij për organizatën “Human Rights Watch” dëshmitarin Fred Abrahams, sidomos në lidhje me UÇK-në.

Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale dëshmitari Fred Abrahams sot e ka përfunduar dëshminë e tij.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, e pyeti Abrahamsin lidhur me ndalimin e dy gazetarëve serbë nga UÇK-ja. Avokati theksoi se hetuesit e Tribunalit të Hagës kishin ardhur në përfundim se njëri nga këta gazetarë, përkatësisht Dobriçiq, kishte qenë i përfshirë në krime të luftës në Kroaci në vitin 1991.

Lidhur me këtë, Kehoe e pyeti dëshmitarin nëse do e dinin se njëri nga ta kishte qenë i përfshirë në krime lufte në Kroaci, a do mendonin se do ishte pjesëmarrës edhe në luftën në Kosovë? Por, Abrahams tha se ‘kritika’ e tyre për këtë çështje ka qenë e fokusuar nëse procesi kishte qenë i rregullt në mënyrë ligjore.

‘’Nëse HRW e ka ditur këtë informacion ju duhej që vetë të kishit pasur dyshime nëse Dobriçiq ka qenë gazetar në momentin kur është ndaluar nga UÇK-ja?” – e pyeti Kehoe dëshmitarin.

Abrahams lidhur me këtë deklaroi se kjo pyetje duhet parë në dy forma. “Është dijenia nëse ne do ta merrnim parasysh në analizën tonë krimet e pretenduara të tij, dhe kritika që kemi bërë ne këtu, në këtë rast, ishte fokusuar në faktin se a ka pasur ose nuk ka pasur fare proces të rregullt ligjor. Nëse do të kishte prova që ka kryer vepra penale në Kosovë apo diku tjetër, kjo do të duhej të kishte dalë në gjykimin që pretendohej se është bërë’’ – tha ai.

Tutje, dëshmitarit iu paraqit një artikull ku thuhej se gjykimi ndaj gazetarëve është kryer më 30 shtator 1998, ndërsa në bazë të njoftimit të HRW-së, këta persona janë deklaruar se kanë humbur më 18 tetor 1998.

Sipas avokatit Kehoe, ky njoftim nga HRW është një element që sipas tij është kontradiktor në raportin e Abrahamsit.

“Ky është njoftim për shtyp nga HRW. Ka dalë më 1 nëntor 1998, 9 ditë para se të uleshit me Thaçin e Limajn dhe këtu flitet për gjykatën ushtarake. Këtu thuhet se gjykimi u krye më 30 shtator 1998. Thuhet se gjykimi është mbajtur më 30 shtator 1998. Ju e dini këtë sepse e keni vendosur në njoftim për shtyp. Ky njoftim ka informacion të plotë për një nga elementët më të rëndësishëm kur janë mbajtur të ndaluar këta persona” – deklaroi Kehoe.

“Kemi një gjykim që është kryer dhe kjo thuhet në provën materiale 19 ditë përpara humbjes. Supozohet që nuk është bërë gjykimi ditën që u ndaluan?” – deklaroi më tutje avokati i Thaçit.

Lidhur me këtë, Abrahams theksoi që nuk e kishte të ‘qartë’ sepse vetëm po merrte informacione, po botonte materiale që ia jepnin dhe nuk e dinte nëse informacionet ishin të sakta.
‘’Kemi dy pjesë mohuese. S’e kisha të qartë. Unë po merrja informacione, po botoja materiale që na jepnin, nuk mund të them nëse dokumentet janë të sakta. Këtë nuk e di’’ – tha Abrahams.

Pyetje dëshmitarit Abrahams i bëri edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Edhe avokati Emmerson u ndal te rasti i ndalimit të gazetarëve serbë në vitin 1998.

Lidhur me rastin e gazetarëve, dëshmitari Abrahams bashkë me kolegun e tij të punës kishin dhënë mendimin se ky rast nuk kishte përmbushur standardet ndërkombëtare për një proces të rregullt dhe të drejtë gjyqësor meqë gazetarët nuk kishin pasur avokat dhe nuk kishin qenë të pranishëm në shqyrtimin gjyqësor.

‘’Nëse ju nuk e dinit se a hoqën dorë nga avokati, apo e bojkotuan, si arritet në përfundim se procesi nuk përputhej me standardet? – e pyeti Emmerson dëshmitarin.

Abrahams lidhur me këtë tha se përfundimet e tyre mbështeteshin në deklarimet e këtyre dy personave dhe të njëjtit nuk kishin deklaruar se kishin hequr dorë nga përfaqësimi ligjor e as që ishin akuzuar për ndonjë krim tjetër.

Emmerson përmendi edhe faktin në qoftë se të njëjtit do të mund të kishin qenë spiunë, siç edhe pretendohej, e pyeti dëshmitarin Abrahams nëse do të kishte qenë e ligjshme që të njëjtit të ndaloheshin.

‘’Në qoftë se mund të kenë qenë spiunë, siç pretendohej, a nuk mendon se është e drejtë të ndalohen, a është krejt e ligjshme të ndalohen?” – pyeti Emmerson.

Lidhur më këtë, dëshmitari Abrahams tha se nëse mendohej se po bënin punë spiunazhi mund të ishte e ligjshme.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.