Foto: Komuna e Malishevës

AUV inspekton lokalin ku dyshohet se u helmuan qytetarët në Malishevë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka konfirmuar për KALLXO.com, se është kryer kontrolli sanitar në hapësirat e lokalit të ushqimeve të shpejta ku dyshohet se u helmuan mbi 30 qytetarë në Malishevë.

Sipas tyre, fillimisht është ndaluar puna dhe shërbimi ndërsa thuhet se gjendja e përgjithshme e lokalit gastronomik është jo e mirë.

AUV ka thënë se në këtë lokal kryesisht janë gatuar ushqime të shpejta si hamburger, doner, tost, pica atj.

“Ka nisur kontrolli i detajuar i të gjitha hapësirave dhe mjeteve të kuzhinës. Gjendja e përgjithshme jo e mire. Janë evidentuar të gjitha produktet prezente ne lokal. Aty kryesisht janë gatuar ushqime te shpejta: Hamburger, doner, tost piza etj. Është marre origjina e produkteve prezente, është gjurmuar procesi i gatimit deri të produktet finale për konsum. Nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare dhe nuk është kryer DDD”- thuhet në përgjigjen e tyre.

Agjencia ka bërë të ditur se të gjitha mostrat janë marrë sipas procedurës standarde për dërgim në laborator.

“Nesër do vazhdohet me marrjen e strishove nga hapësirat dhe mjetet e punës”- thekson AUV-i.

AUV po ashtu ka njoftuar se kanë vizituar pacientët për të parë gjendjen shëndetësore.

“Të gjithë pacientet deri më tani rreth 40 janë duke marrë trajtim mjekësorë ne QKMF Malishevë. Disa janë dërguar ne Spitalin regjional në Prizren. Jemi duke monitoruar situatën mbi gjendjen e shëndetësore të pacientëve. Te gjitha autoritete kompetente janë duke ndërmarrë n të gjitha veprimet. Jemi ende në teren për te mbajtur situatën nen kontroll”- thanë për KALLXO.com.

Drejtori i për Shëndetësi në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha ka thënë se në Klinikën Infektive në Prishtinë po trajtohen 12 pacientë që dyshohet se u helmuan sot në një lokal të ushqimeve.

Sipas njoftimit të komunës, gjendja e pacientëve aktualisht është stabile.

Ndërsa është bërë e ditur se numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Malishevë është 39.

Helmimi në Malishevë, gjendja e 12 pacientëve që po trajtohen në QKUK