Prindërit: Ka mungesë të librave në librari

Libraritë në Kosovë janë bërë destinacioni kryesor i prindërve, pasi këtë vit ata duhet t’i blejnë librat për fëmijët e tyre nxënës.

Disa prindër para kamerave të KALLXO.com kanë ndarë përvojën e tyre në lidhje me këtë situatë të shkaktuar nga propozimi i Ministrisë së Arsimit, që librat të blihen nga ta dhe më pas të rimbursohen nga kjo ministri.

“Kjo tani është e mundimshme për faktin që tash po duhet me lëvizë nëpër librari të ndryshme, që po krijon tollovi edhe tek libraritë po edhe tek ne si prindër”, e ka përshkruar situatën e prindërve në librari, Mustafë Kadriaj.

Sipas deklaratave të prindërve, në libraritë e Kosovës ka mungesë të librave, përderisa ata janë të pajisur me listat e nevojshme të librave dhe shtëpive botuese, të cilat duhet t’i blejnë.

Tefta Mjekiqi Bislimi, prind nga Prishtina, ka përmendur vështirësit të cilat po i hasin prindërit në përgjithësi, përveç mungesës së librave.

“Një libër e blenë me një filiale tjetër, ndërsa në filialen tjetër kur shkon me kërku pjesën tjetër të librit, thotë që nuk mund ta shesë sepse kam marrëveshje, të cilën ja dyjat duhet t’i blesh ja vetëm njërën”, është deklaruar Bislimi për KALLXO.com.

Sipas Bislimit, Ministria e Arsimit nuk ka të hartuar një statistikë të nxënësve se sa janë për këtë vit, dhe kjo është arsyeja e mungesës së librave.

Ajo ka treguar çmimin mesatar të librave që mendon se i kushtojnë edhe prindërve të tjerë.

“Çmimi sillet diku mesatarja 4.50 euro për një libër, përveç librat e gjuhës angleze të shtëpisë botuese “Dukagjini” që kanë një kosto ma të lartë, që sillet diku në ndonjë filiale 14.90, diku 13.60 euro, po totali i librave për një nxënës të klasës 4 apo 5, duhet të jetë shuma 75 afër 80 euro”, ka thënë Bislimi.

Kurse, Naim Berisha, një prind tjetër nga Prishtina në lidhje me aplikimin për subvencionim në platformën e-Kosova, ku do të rimbursohen këta prindër, ka thënë se nuk ka qenë e vështirë të aplikojë.

“Por vendimi, po shprehem në thonjëza “i ditëve të fundit” gjykoj që ka qenë i pamenduar mirë, sepse ndonëse unë nuk kam pasur telashe që të aplikoj për subvencionim, dëgjoj edhe shoh çdo ditë që ka telashe të prindërit tjerë”, ka treguar Berisha për KALLXO.com.

Kurse, Arton Selimi prind nga Podujeva, e ka quajtur ‘sfidë, telash pa nevojë’, këtë formë të blerjes së librave, dhe nuk e di se a do të aplikoj për t`u rimbursuar, pasi ka thënë se nuk ka mundur të ketë qasje në platformë, për shkak të ngarkesës së saj.

Në anën tjetër, për libra shitësit kjo është një përvojë e re, e cila varet nga librat e kërkuar me shtëpitë botuese të caktuara, pasi çmimet e tyre janë të përafërta, por dallojnë.

Artin Ahmeti nga Libraria ‘Artini’, e ka konfirmuar se deri më tani nuk i kanë të gjitha librat.

“Ne e kemi, tash edhe vet po jemi pak të dyzum, se ata që po i kanë listat e sakta prej mësimdhënësve, i shesim, kurse ata që vijnë veç thonë cila është për klasë të parë ose të dytë, nuk ia shesim pa i ditë saktë, cilat tekste shkollore, cilave shtëpi botuese ju duhen”, ka thënë Ahmeti.

Në lidhje me mungesën e librave, shtëpia botuese ‘Albas’ ka thënë se i kanë të gjitha librat për të cilat kanë vendim nga MASHTI.

“Ne nuk kemi mungesë për ato që kemi vendime. Kemi mungesë vetëm për ato që ende s’i kemi marrë vendimet dhe ende s’e kemi marrë numrin e përzgjedhjes nga MASHTI. Nuk po e dimë arsyen e vonimit. I kemi gjithsej edhe 8 libra të klasave 1 – 5’’, kanë shkruar në përgjigjen e tyre nga shtëpia botuese ‘Albas’.

Mirëpo, Ahmeti ka theksuar një përparësi nga kjo çështje, e cila ka të bëjë me vizitën e fëmijëve nga klasa e parë në librari.

“Si proces është proces që neve na pëlqen, fëmija prej klasës parë domethënë hyn në librari, familjarizohet me librarinë, se deri sivjet, nëse e shohim, tash po flas për anën negative, deri në klasë 9 ose deri në klasë 5 i kanë pas tekstet shkollore krejt falas edhe domethënë 5 vjet fëmija rrallë herë ka hy në librari”, ka theksuar ai.