FOTO KALLXO - Arkiv - Shpend Ahmeti

Auditori konstaton se Prishtina çdo vit humb mbi 4 milionë euro nga mosmbledhja e qirasë

Auditori Kombëtar ka gjetur se Komuna e Prishtinës nuk merr asnjë kompensim nga ata që shfrytëzojnë rreth 6 hektarë pronë komunale.

Sipas ZKA-së, janë të paktën 37 parcela komunale të cilat shfrytëzohen dhe komuna nuk ka asnjë kompensim për to.

Në vitin 2014 komuna kishte bërë verifikimin e të gjitha pronave komunale, në mesin e të cilave edhe ngastrat që janë në pjesën e quajtur “Zona Industriale”.

“Të paktën 37 parcela të kësaj zone me rreth 6 hektarë, shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

“Sipas kalkulimit të thjeshtë krahasuar me qiratë tjera i bie që komuna humb së paku 6€/m2 apo 360,000€/muaj”, thuhet në raport.

Brenda vitit komuna humbet 4 milionë e 320 mijë euro brenda vitit.

Këtë kritikë komuna e Prishtinës e kishte marrë edhe vitin e kaluar nga Auditori, mirëpo Komuna nuk ka ndërmarrë asnjë hap dhe situata vazhdon të jetë e pazgjidhur.

“Kjo çështje është ngritur edhe në raportin e vitit të kaluar dhe vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Megjithatë, nga komuna nuk është ofruar ndonjë shpjegim konkret se pse nuk është ndërmarrë asnjë veprim për ta adresuar këtë çështje”, thuhet në raport.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë.