Auditori: Klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve në Ministrinë e Shëndetësisë

Zyra e Auditorit ka publikuar raportin e auditimit në Ministrinë e Shëndetësisë në të cilin ka përfshirë shumë shkelje të bëra nga kjo ministri.

Një nga të gjeturat e këtij raporti në Ministrinë e Shëndetësisë është klasifikimi joadekuar i shpenzimeve.

“Sipas nenit 18 pikës 3 të Rregullës financiare, shpenzimet duhet të jenë në kode adekuate, të përcaktuara me planin kontabël. Po ashtu, udhëzimi administrativ për planin kontabël kërkon nga ZKA dhe ZKF që të sigurojnë që të gjitha transaksionet janë regjistruar në SIMFK sipas strukturës së planit kontabël dhe klasifikimeve të përcaktuara me këtë UA”, thuhet në raport.

Raport ka sqaruar se Ministria e Shëndetësisë në vitin 2019 përmes planifikimit buxhetor dhe vendimeve gjyqësore ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë prej 299 mijë e 894 euro në kategori ekonomike jo adekuate.

Këto shpenzime janë regjistruar si pagesa në vlerë 189 mijë e 203 euro për funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) ishte realizuar nga Thesari bazuar në vendimi gjyqësor nga kategoria mallrave dhe shërbimeve, por që për nga natyra ky shpenzim i takon kategorisë së investimeve kapitale.

Në kategori jo adekuate është regjistruar edhe pagesa prej 31 mijë e 55 euro për për kompensim të trajtimeve mjekësore jashtë vendit.

Kjo pagesë sipas raportit të Auditorit është realizuar nga Thesari bazuar në vendimet gjyqësor nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, por që për nga natyra këto shpenzime i takojnë kategorisë së subvencioneve.

“Ministria kishte informuar thesarin se dy pagesa për trajtime mjekësore duhet paguar nga Fondi për Sigurime Shëndetësore por meqë sipas urdhrit për përmbarim debitor ishte Ministria e Shëndetësisë pagesat ishin realizuar nga buxheti i MSh-së”, thuhet në raport.

Pagesë tjetër e realizuar në kategori joadekuate është pagesa në vlerë 241 mijë e 585 euro për kompensimin e pagave jubilare.

Sipas raportit kjo pagesë është realizuar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, por që për nga natyra këto shpenzime i takonin kategorisë së pagave dhe mëditjeve.

Edhe një pagesë në vlerë prej 55 mijë e 661 euro për servisimin e pajisjeve mjekësore është bërë në kategori joadekuate.

Kjo pagesë sipas raportit të Auditorit është paguar nga kategoria e investimeve kapitale edhe pse këto shpenzime për nga natyra i takojnë kategorisë mallra dhe shërbime.

Raporti ka bërë të ditur se sipas zyrtarëve të ministrisë pagesat me vendime gjyqësore janë ekzekutuar direkt nga thesari dhe kishte raste që mjetet i ishin marrë Ministrisë pa njoftim nga thesari.

Sipas Auditorit Ministria gjatë vitit nuk ka ndërmarr masa për ridestinim të mjeteve sipas ligjit, ndërsa pagesat për servisimin e pajisjeve sipas zyrtarëve të ministrisë ishin pasojë e buxhetit të kufizuar për mallra dhe shërbime, e të cilat ishin të domosdoshme.

Klasifikimi joadekuat i shpenzimeve në pasqyrat financiare sipas Auditorit shpie në keqkuptim të aktiviteteve financiare të Ministrisë, duke mbivlerësuar ose nënvlerësuar kategoritë ekonomike përkatëse.

Auditori ka rekomanduar që Ministria e Shëndetësisë të sigurojë që janë ndërmarrë veprimet e nevojshme në mënyrë që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit (apo të bëhetridestinimi i mjeteve sipas kërkesave ligjore) dhe që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve të bëhet sipas kategorive ekonomike adekuate, për të mundësuar raportimin e drejtë të tyre në PFV në përputhje me planin kontabël.

Tutje Auditori i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndeteësisë se një bashkëpunim efektiv me Ministrin e Financave do të lehtësonte gjetjen e zgjidhjeve, në mënyrë që të shmangen këto devijime.