Auditori i SHSKUK-së gjen mal shkeljesh të stafit të Spitalit të Gjakovës

Në Spitalin e Gjakovës mjekët e infermierët kanë mbajtur kujdestari dhe gatishmëri në të njëjtën kohë dhe janë paguar për të dyja…, nuk kanë evidentuar me rregull në sistemin elektronik, as nuk janë nënshkruar në fletore për hyrje-daljet e tyre nga janari i vitit 2022 deri në mars 2023.

Këto janë disa prej gjetjeve të auditorit të brendshëm të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, të cilat u prezantuan dje para drejtorit dhe bordit të SHSKUK-së.

Një tjetër gjetje është edhe aprovimi i pushimeve pa pagesë vetëm me arsyetimin “për çështje personale” apo “për çështje familjare”.

Sipas raportit të auditimit, te mjekët mungojnë evidencat e hyrje-daljeve, prej 6 ditëve deri në 9 muaj, dhe nuk dihet se a kanë qenë në punë apo jo.

Në një rast, tekniku medicinal ndonëse është paguar për çdo muaj, ai nuk ka pasur as edhe një evidencë të vetme gjatë tërë vitit. E në një rast tjetër, tekniku ka evidentuar vetëm hyrjen e tij për 5 muaj rresht, e asnjëherë daljen.

“Në janar 2022 janë testuar 11 infermierë dhe kemi gjetur se kanë mbajtur gatishmëri dhe ndërrime nate në të njëjtën ditë, infermierët nuk nënshkruhen për ndërrimet e mbajtura në fletore të ndërrimeve, orari i ndërrimeve nuk përputhet me ndërrimet e mbajtura dhe një ndërrim që është paguar më tepër pa pasur evidencë në libra” – ka shkruar auditori në raport.

Prezent gjatë raportimit të auditorit ishte edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, i cili mori këtë post nga 5 shtatori 2023, pas shkarkimit të ish-drejtorit, Jeton Zarari.

Shala u pajtua me këto gjetje dhe tha se kanë krijuar dy komisione në nivel të spitalit, një për çështje të administratës, ku hynë personeli, financat, prokurimi dhe një për çështje shëndetësore, si mekanizëm kontrollues për mbajtjen e kujdestarive e punë jashtë orarit.

“Kemi bërë edhe planin e veprimit për zbatimin e rekomandimit të njësisë së auditimit. Të gjitha rekomandimet janë që mund të zbatohen menjëherë dhe janë caktu personat përgjegjës që do të përcjellin zbatimin e tyre” – tha Shala.

Sipas tij, të gjitha janë gjetje reale dhe shtoi se kanë munguar mekanizmat.

Kryesuesi Naim Bardiqi tha se pushimet pa pagesë duhet të aprovohen vetëm në raste kur punëtori ka familjar të sëmurë apo për edukim, i cili i kontribuon edhe institucionit.

“Prezenca në punë evidentohet edhe në mënyrë elektronike, edhe fizike, madje është edhe udhëzimi administrativ që e parasheh prezencën në punë, nëse ajo elektronike nuk funksionon, duhet me patjetër në formën e shkruar” – tha po ashtu Naim Bardiqi.

Disa prej rekomandimeve të auditorit kanë qenë që aprovimi i pushimeve pa pagesë të stafit të ketë dokument të shkruar me arsyeshmëri, të evidentohen hyrje-daljet e stafit dhe të respektohet orari i punës, të vendosen pika të kontrollit me qëllim që kujdestaritë dhe ndërrimet e natës të paguhen në bazë të dëshmive në librat e kujdestarive, e të tjera.

Njësia e auditimit, e cila udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Besnik Zejnullahu, ka dërguar edhe formularin e planit për zbatimin e rekomandimeve, të cilin ka kërkuar që t’u kthehet i plotësuar.