Foto: KALLXO.com

ATK shqipton mbi 48 mijë euro gjoba për kompanitë e autobusëve

48,375 euro është shuma totale e gjobave të cilën Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) e ka shqiptuar pas kontrolleve të kryera në bizneset e autobusëve.

Këtij kontrolli të gjerë tatimor i janë nënshtruar 41 biznese dhe pothuajse në secilën prej tyre ATK ka konstatuar parregullsi.

Si rezultat i kontrollit, 34 prej këtyre bizneseve kanë qenë të fiskalizuara prej të cilave 20 nuk kanë lëshuar kuponë fiskalë ndërsa 7 të tjera nuk kanë pasur arka fiskale të instaluara.

Sipas ATK-së, nga konstatimet e bëra në teren janë lëshuar 221 gjoba në vlerë prej 48, 375 euro.

Ky kontroll ishte zhvilluar pasi dhjetëra qytetarë kishin raportuar në KALLXO.com dhe në ATK se nuk po pajiseshin me kuponë fiskalë nga disa kompani të autobusëve.

Gjatë kontrollit ishin konstatuar mbi 100 udhëtarë që nuk ishin të pajisur me kupon fiskal. Në të njëjtën kohë ishin konstatuar edhe biznese të pa pajisura me arka fiskale si dhe punëtorë të padeklaruar.

Gjilan, pas raportimit në KALLXO.com, inspektorët gjejnë parregullsi te kompanitë e transportit

ATK bën me dije se do të ndërmarrë aksione të tilla edhe gjatë  ditëve në vijim, në mënyrë që gjithë tatimpaguesit të kenë trajtim të barabartë gjatë zbatimit të legjislacionit tatimor.