Inspektorët tatimorë gjatë inspektimit të kompanive të transportit të udhëtarëve në Gjilan. Foto: Kallxo.com

Gjilan, pas raportimit në KALLXO.com, inspektorët gjejnë parregullsi te kompanitë e transportit

Raportimi i qytetarit në platformën KALLXO.com, se disa autobusë në Komunën e Gjilanit nuk po lëshojnë kuponë fiskalë për udhëtarë i ka vënë në punë hulumtuesit e BIRN dhe inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Me ta pranuar informacionin, hulumtuesit e BIRN i janë drejtuar ATK-së me kërkesë për inspektimin e këtyre kompanive të autobusëve të cilat, sipas qytetarëve, nuk po lëshojnë kupona fiskalë.

Ky informacion bëri që inspektoret tatimorë, së bashku me patrullën e Policisë, të dalin në teren dhe t’i kontrollojnë këto kompani të autobusëve.

Raportimi i qytetarit doli të jetë i saktë pasi në 12 kompani të kontrolluara u gjeten 29 udhëtarë të cilët nuk ishin pajisur me kuponë fiskalë dhe disa udhëtarë të cilët kishin marrëveshje mujore mirëpo të cilët nuk ishin të deklaruar nga kompanitë.

Pas kontrollit, parregullsitë e konstatuara në teren janë bartur tek zyra për shqiptimin e gjobave.

Po ashtu dje gjatë ditës pas raportimit të qytetarit dhe trajtimit të rastit nga KALLXO.com, inspektoret tatimorë mbyllën dy bastore të cilat ishin të pa licencuara dhe në afërsi të shkollave.

Pas raportimit të KALLXO.com mbyllen dy bastore në Fushë Kosovë

Muaj më parë, BIRN, Ambasada e Britanisë dhe Democracy Plus, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim rritjen e mbikëqyrjes së Shoqërisë Civile në proceset e Administratës Tatimore.

Një ndër qëllimet tjera të këtij memorandumi të bashkëpunimit në mes të BIRN, Ambasadës britanike dhe Democracy Plus është edhe angazhimi në luftën e kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe ekonomisë joformale.

BIRN inkurajon qytetarët që të gjitha rastet në të cilat dyshohet për parregullsi dhe për shmangie tatimore ti paraqesin ti raportojnë në KALLXO.com.