ATK inkason mbi 700 mijë euro borxhe nga bizneset  

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se dje ka vazhduar aktivitetin e konfiskimit të borxheve të papaguara nga bizneset dhe si rezultat janë inkasuar mbi 700 mijë euro. 

Ky aktivitet është realizuar në regjionin e Prishtinës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës, Prizrenit dhe Gjilanit. 

“Në kuadër të këtij aksioni mbledhësit tatimor kanë mbyllur dhe sekuestruar prona të bizneseve për mospagesë tatimit, të njëjtat aktivitetet të mbledhjes së detyrueshme do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim” – thuhet në njoftim. 

ATK u bën thirrje tatimpaguesve që të paguajnë detyrimet tatimore, në mënyrë që të mos ballafaqohen me masa të konfiskimit.  

Po ashtu, ATK ka ftuar tatimpaguesit që të jenë bashkëpunues në pagesën e borxheve të tyre, si dhe të njoftohen për mundësitë që ofron Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat në pagesën e borxheve tatimore.