Asamblistes së PDK-së i humbin rreshtat, kërkon ndaljen e konferencës (VIDEO)

Në një konferencë për media të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, asamblistja Suzana Vuqitërna – Kika dhe Ilirik Musliu kanë prezantuar propozimin që në kryeqytet të ofrohet transport publik falas nga muaji nëntor deri në muajin mars në mënyrë që të ketë më pak vetura në kryeqytet dhe rrjedhimisht edhe ndotje më të vogël të ajrit.

Në pjesën e parë të konferencës ka folur asamblistja Suzana Vuqitërna – Kika, e cila në minutat e para të konferencës ngeci duke lexuar fjalimin e përgatitur dhe kërkoi që të ndalej konferenca dhe të fillonte përsëri.

“Ju rikujtojmë që vendosja e maskave për për qyte… për qytetarët….. a po e ndalim veç pak? Më falni”, ka deklaruar ajo.

Asamblistes iu rikujtua që janë në një transmetim të drejtpërdrejtë dhe nuk mund të ndalet.

Suzana Vuqitërna – Kika rifilloi përsëri fjalimin ku e kishte lënë.

“… për qytetarët e Prishtinës duhet të jetë praktikë e domosdoshme sa herë që bien temperaturat pikërisht për shkak të ndotjes së ajrit. E këtë vit gjendja është më e rënduar, një numër i madh i njerëzve që jetojnë në Prishtinë por edhe ata që e frekuentojnë Prishtinës janë të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit e cila sipas studimeve rritë rrezikshmërinë e virusit COVID-19”, deklaroi asamblistja e PDK-së në Prishtinë, Vuqitërna – Kika.

Ajo ka thënë se PDK është e pakënaqur nga masat e ndërmarra nga qeverisja komunale që do të ndikonin në përmirësimin e cilësisë së ajrit në kryeqytet.

“Marrja e vendimeve ad-hoc për ndalimin e qarkullimit të veturave për disa ditë, nuk ka pasur impakt të kënaqshëm sepse ka qenë afat shkurtër dhe ka krijuar vështirësi të tjera zingjirore andaj PDK në Prishtinë duke parë që qytetarët po i  kanosen edhe një rreziku tjetër shëndetësor, ai i përhapjes së sëmundjeve respiratore ka menduar një zgjidhje me efekt të menjëhershëm por që është afatgjate”, ka përfunduar asamblistja Vuqitërna – Kika.

Konferencën e plotë të PDK-së e gjeni më poshtë.