A e harruan institucionet përvjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut?

Asnjë aktivitet nuk është mbajtur nga institucionet shtetërore të martën, më 02.07.2024, për të shënuar miratimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës.

Më këtë deklaratë, delegatët e Kuvendit të asaj kohe e shpallën Kosovën njësi të barabartë me ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, me të drejtë shkëputjeje.

34 vjet më pas, kjo ngjarje që konsiderohet si një prej ngjarjeve zinxhir që trasuan rrugën për pavarësinë e Kosovës, ka kaluar në heshtje.

Krejt ajo çfarë kanë bërë institucionet për të kujtuar këtë ngjarje është një takim që presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur të martën, më 02.07.2024, me disa prej ish-delegatëve të asaj kohe.

Por, nuk ka pasur apo të jetë njoftuar për ndonjë aktivitet tjetër për shënimin e 2 Korrikut nga institucionet.

Për mosorganizmin e ndonjë aktiviteti për 2 Korrikun nga Kuvendi i Kosovës janë arsyetuar me renovimin e sallës së seancave, por edhe kanë përmendur shënimin e vitit të kaluar që organizoi Kuvendi për këtë ngjarje, me ç’rast edhe është vendosur edhe një pllakë në hyrje të Kuvendit në kujtim të kësaj ngjarjeje.

Ndërsa, nga Qeveria e Kosovës nuk i janë përgjigjur interesimit të KALLXO.com për mosorganizmin e ndonjë aktiviteti për 2 Korrikun.

Presidentja Vjosa Osmani pret ish-delegatët e 2 Korrikut

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ka pritur sot, më 02.07.2024, një pjesë të delegatëve të ish- Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën e 2 Korrikut.

Ajo ka deklaruar se Deklarata e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte pikënisje drejt realizimit të shtetësisë së Kosovës.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte pikënisje drejt realizimit të idesë së kahmotshme për Kosovën shtet të pavarur. Sot, në këtë përvjetor, pata nderin t’i takoj një pjesë të delegatëve të asaj kohe, guximi dhe vendosmëria e të cilëve shënuan një akt historik, me të cilin u vendosën themelet për realitetin e sotëm- Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës”- ka shkruar Presidentja Osmani në Facebook.

Mosorganizimi nga Kuvendi

Ndërkaq, këtë vit Kuvendi i Kosovës, nuk ka paraparë ndonjë aktivitet për shënimin e 2 Korrikut.

Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë për KALLXO.com se arsyeja për mosmbajtjen e aktiviteteve për 2 Korrikun është renovimi që është duke u bërë në sallën kryesore të seancave.

“Vitin e kaluar Kuvendi e ka vendosur një pllakë përkujtimore dhe ka mbajtur një seancë solemne me delegatët e Kuvendit të 2 Korrikut. Sivjet, për arsye se salla kryesore nuk është e gatshme për seanca, është menduar se më mirë është mos me mbajtë (aktivitet) në sallën e improvizuar, por, diçka më shumë, ndonjë debat nuk ka pasur”- ka thënë Kërçeli për KALLXO.com.

Mosplanifikimet nga ana e Kuvendi për shënimin e 2 Korrikut këtë vit është konfirmuar dhe nga kryetarët të grupeve parlamentare të partive kryesore parlamentare.

Mimoza Kusari- Lila, kryetare grupit parlamentar të LVV-së, ka thënë për KALLXO.com se çështja e organizmit të ndonjë aktiviteti për 2 Korrikun nuk është diskutuar në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit. Kusari- Lila ka kujtuar aktivitetin e mbajtur vitin e kaluar nga Kuvendi kur edhe është vendosur edhe pllaka përkujtimore.

“Unë personalisht nuk kam qenë prezente në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, pasi kam qenë në udhëtim jashtë Kosovës. Megjithatë, sipas informatave nga mbledhja e Kryesisë, nuk ka pasur diskutim apo propozim për shënimin e kësaj dite. Ndërsa, Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar ka shënuar datën e 2 Korrikut me seancë të veçantë, me ç’rast është vendosur edhe pllaka në hyrje të Kuvendit e cila shënon vendin dhe datën e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990” – ka thënë ajo për KALLXO.com.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë për KALLXO.com se nuk është në dijeni pse Kuvendi nuk ka paraparë ndonjë aktivitet për 2 Korrikun. Edhe Zemaj ka thënë se kjo çështje nuk është diskutuar në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit.

“Nuk e di pse. Në mbledhjen e fundit të kryesisë nuk është diskutuara  nga ana e Kryesisë së Kuvendit dhe kryetarit, por nëse një datë në historinë më të re të  Kosovës të nderohet dhe të respektohet, por edhe të kujtohet në kuptimin organizativ në Kuvendin e Kosovës, është 2 Korriku i vitit 1990 dhe kontributi i pamohueshëm i delegatëve të asaj kohe”- ka thënë Zemaj për KALLXO.com, duke shtuar se historia e re e Kosovës nuk mund të shkruhet pa ngjarjen e 2 Korrikut 1990.

Deputetët Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së dhe Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së, nuk i janë përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me mosshënimin e 2 Korrikut nga Kuvendi.

Rëndësia historike

Shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik 1990 nga ish-delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës konsiderohet si gurë themel i shtetësisë së Kosovës.

Historiani Jusuf Buxhovi në një postim në Facebook ka deklaruar se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut paraqet ngjarjen më të rëndësishme në historinë e shtetndërtimit të Kosovës.

Delegatët e Kuvendit të Kosovës, ka thënë ai, me shpalljen e kësaj Deklarate, Kosovën e shkëputën nga pushtimi serb.

“Kjo legjitimoi Kosovën njësi të barabartë të federatës jugosllave me të drejtën e shkëputjes. Deklarata e kushtetuese si e tillë, i  hapi rrugën  Republikës së Kosovës, e cila u shpall në Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator të atij viti. Këto dy vendime madhore të përcjella nga Referendumi për Pavarësi i 26 shtatorit 1991,  zgjedhjet  Presidenciale dhe Parlamentare të 24 maj 1992 si dhe  krijimin e qeverisë së Kosovës në fund të atij viti, që mori përsipër rezistencën institucionale, Kosovën e vunë në binarët e pandalshëm historik të shtetndërtimit, që do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008”- ka shkruar Buxhovi në Faceebook.

Më 2 Korrik 1990, 114 delegatë (deputetë) të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, të rrethuar nga forca të shumta policore serbe, miratuan Deklaratën Kushtetuese, me të cilën e shpallën Kosovën njësi të barabartë me ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, me të drejtë shkëputjeje.

Deklarata u botua një ditë më pas (3 korrik 1990) në Fletoren Zyrtare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK).