Ndotja e ajrit në Prishtinë, PDK propozon transport publik falas për 4 muaj

Partia Demokratike e Kosovës në Prishtinë ka ka propozuar që të ofrohet transport publik falas nga muaji nëntor deri në muajin mars në mënyrë që të ketë më pak vetura në kryeqytet dhe rrjedhimisht edhe ndotje më të vogël të ajrit.

Nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Ilirik Musliu, tha se propozimi është që kjo masë të vlejë për të gjitha linjat e trafikut urban dhe për të gjithë pa përjashtim me qëllim që të nxiten qytetarët që të shfrytëzojnë transportin publik e jo veturat private.

Ai ka thënë se brenda ditës numri i automjeteve në Prishtinë është mesatarisht 120 mijë.

“Brenda ditës në Prishtinë hyjnë dhe dalin prej 70 mijë deri në 100 mijë automjete të cilat emetojnë gazra ndotës në ambient”, ka thënë Musliu.

Nënkryetari i PDK-së në Prishtinë ka treguar edhe cilat janë rrugët më të ngarkuara me automjete brenda ditës në Prishtinë.

“Brenda qendrës së qytetit trafiku më i mbingarkuar në të dy drejtimet është në rrugën “Bill Clinton” me 48 mijë automjete në 12 orë dhe në rrugën “Fehmi Lladrovci” me rreth 33 mijë automjete në 12 orë”, ka shtuar ai.

Musliu ka numëruar edhe qytetet nëpër botë të cilët kanë implementuar një projekt të tillë. Ai ka thënë se një projekt i tillë i ofrimit të transportit publik pa pagesë është implementuar në vitin 2013 në Talin të Estonisë dhe pas rezultateve pozitive projetki i njëjti është implementuar edhe në 4 qytete në Australi, 33 qytete në Amerikë, 30 qytete në Poloni, më shumë se 10 qytete në Francë, 13 në Brazil, 7 në Suedi, 5 në Angli, 3 në Kanada dhe nga një qytet në Belqikë, Rusi, Slloveni, Spanjë, Skoci, Tajlandë dhe Ukrainë.

“Andaj le të jetë Prishtina qyteti i radhës ku gjen implementim një projekt i tillë sepse implementimi i këtij projekt shkarkon trafikun e kryeqytetit, mbron ambientin, kursen kohën, ruan shëndetin dhe xhepin e qytetarëve”, ka përfunduar Musliu.

Nënkryetari Musliu ka deklaruar se një familje me 4 anëtarë në Prishtinë që e shfrytëzon transportin publik çdo ditë shpenzon 384 euro në 4 muaj vetëm për transport.

“Meqenëse bileta e autobusit aktualisht kushton 40 centë për një drejtim pra 80 centë vajtje-ardhje ku familjet tona kanë mesatarisht 4 anëtarë atëherë një familje shpenzon 3.20 euro në ditë, 96 euro në muaj apo 384 euro për 4 muaj”, ka theksuar Musliu.

Ilorik Musliu deklaroi se grupi i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë do të angazhohet që ky propozim të shkojë në Kuvendin Komunal të Prishtinës duke bërë thirrje për mbështetjeve edhe të asamblistëve të tjerë.

Asamblistja e PDK-së në Prishtinë, Suzana Vuqitërna – Kika ka thënë se grupi i asamblistëve dhe Kryesia e PDK-së në Prishtinë është e shqetësuar me cilësinë e ajrit në qytetin e Prishtinës që vazhdon të jetë një ndër faktorët më të domosdoshëm për shëndetin e banorëve të kryeqytetit.

“Vendosja e maskave për qytetarët e Prishtinës duhet të jetë praktike e domosdoshme sa herë që bien temperaturat pikërisht për shkak të ndotjes së ajrit. E këtë vit gjendja është më e rënduar, një numër i madh i njerëzve që jetojnë në Prishtinë por edhe ata që e frekuentojnë Prishtinën janë të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit e cila sipas studimeve rrit rrezikshmërinë e virusit COVID-19″, ka deklaruar Vuqitërna – Kika.

Ajo ka thënë se PDK është e pakënaqur nga masat e ndërmarra nga qeverisja komunale që do të ndikonin në përmirësimin e cilësisë së ajrit në kryeqytet.

“Marrja e vendimeve ad-hoc për ndalimin e qarkullimit të veturave për disa ditë, nuk ka pasur impakt të kënaqshëm sepse ka qenë afat shkurtër dhe ka krijuar vështirësi të tjera zingjirore andaj PDK në Prishtinë duke parë që qytetarët po i  kanosen edhe një rreziku tjetër shëndetësor, ai i përhapjes së sëmundjeve respiratore ka menduar një zgjidhje me efekt të menjëhershëm por që është afatgjate”, ka përfunduar asamblistja Vuqitërna – Kika.