Pamje nga festivali “Të festojmë ngjashmëritë tona”- 2024. Foto: KALLXO.com.
Nis edicioni i 6-të i Festivalit multikulturor “Të festojmë ngjashmëritë tona”
Edicioni i 6-të i Festivalit multikulturor “Të festojmë ngjashmëritë tona” ka nisur të martën, më 02.07.2024, në Qendrën “Barabar” në Prishtinë.
Festivali organizohet nga organizata joqeveritare “Zëri i romëve, ashkalive dhe egjiptianëve” (Voice of Roma, Ashkali and Egyptians) dhe si qëllim ka njohjen me kulturën dhe traditën e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Një fjalë rasti në hapje të këtij fFestivali ka mbajtur Sylejman Elshani, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Elshani tha me këtë rast se ky Festival ka për qëllim shpalosjen e kulturës, historisë e traditës së këtyre komuniteteve.
“Përmes këtij Festivali po promovohet kultura e këtyre komuniteteve, ku përmes letërsisë, teatrit, librave e zejeve të ndryshme e pasurojnë kulturën e shtetit të Kosovës”- tha zëvendësministri.
Ndërsa, Vesa Batalli, zëvendësdrejtoreshë e OJQ-së “Zëri i romëve, ashkalive dhe egjiptianëve”, tha se ky Festival multikulturor që mbahet me moton “Të festojmë ngjashmëritë tona” mbahet me qëllim të njohjes me kulturën dhe traditën e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, që siç ka thënë ajo, përbën një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës.
“Përmes këtij Festivali prezantohet një pjesë e rëndësishme e diversitetit të trashëgimisë kulturore të Kosovës, një traditë që na rrethon çdo ditë”- tha ajo.
Ceremonia e hapjes së edicionit të 6-të të këtij Festivali është përcjellë me performancën teatrore “Emri im është Delthan” të Edis Galushit dhe ekspozitën “Njohja e historisë, kulturës dhe letërsisë rome përmes artit” të Ridvan Gashit.
Gjatë edicionit të 6-të të Festivalit multikulturor “Të festojmë ngjashmëritë tona” do të mbahen aktivitete të ndryshme kulturore, si debate, shfaqje teatrale, panele diskutimi e aktivitete për fëmijë
Festivali do të zgjasë deri më 4 korrik 2024.