Foto: Ilustrim

Arsyet pse Gjykata e Prizrenit caktoi paraburgimin për 5 pjesëtarët e Njësive Speciale

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit, më 26 qershor, e deri më 26 korrik, ndaj të pandehurve S.H., V.K., F.K., A.P., dhe A.K.

Të pandehurit, zyrtarë policorë të Njësisë Speciale Operative (NJSO), janë suspenduar ditë më parë me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Ata po dyshohen për veprën penale në bashkëkryerje keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe për lëndim të lehtë trupor.

Ngjarja për të cilën ata janë arrestuar dhe kanë dalë para gjyqit ka ndodhur më 16 korrik 2020 në Prizren.

Në njoftimin e saj, Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Luan Berisha, me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh peshën e veprave penale dhe rrethanat në të cilat dyshohet të jenë kryer veprat penale, sepse më 16 korrik 2020, në orët e mesditës në Prizren të pandehurit në cilësi të personave zyrtarë policorë – NJSO, i keqtrajtojnë, frikësojnë dhe fyejnë rëndë dinjitetin e të dëmtuarve, ashtu që derisa të dëmtuarit ishin me pranga në duar, të dyshuarit vazhdojnë goditjet dhe maltretimet ndaj të dëmtuarve, të gjitha këto të provuara në audio-incizime.

Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit pasi që me qëndrimin e tyre në liri mund të jepen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, si dhe hetimet në këtë çështje janë në fazën fillestare dhe në vazhdim duhen të merren në pyetje të pandehurit, të dëmtuarit dhe dëshmitarët eventualë dhe me qëndrimin në liri të të pandehurve të njëjtit mund të ndikojnë te të të dëmtuarit dhe dëshmitarët, andaj Gjykata konsideron se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit.

Gjykatësi i procedurës paraprake, shqyrtoi edhe masat tjera alternative, si dhe ato të cilat i ka propozuar mbrojtja (gjatë seancës dëgjimore), mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës, caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.