Ilustrim

Arrestohet futbollisti kosovar, dyshohet se sulmoi me grusht gjyqtarin gjatë ndeshjes futbollistike

Një futbollist është arrestuar gjatë ditës së djeshme nën dyshimet se ka sulmuar një gjyqtar në një ndeshje futbollistike që po zhvillohej në Deçan.

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë në Rajonin e Pejës në lidhje me ngjarjen e cila ka ndodhur dje.

Sipas policisë, i dyshuari, futbollist i skuadrës “KF Dukagjini” deri sa ishte në bankën rezervë kishte hyrë brenda fushës dhe kishte sulmuar gjyqtarin kryesor duke e goditur me grusht.

Ndeshja futbollistike po mbahej në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit.

Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Pejës, Fadil Gashi për KALLXO.com ka konfirmuar rastin duke thënë se është iniciuar rast për lëndim të lehtë trupor.

“Dje rreth orës 16:50 deri sa ka qenë duke u zhvilluar një ndeshje futbollistike në fshatin Isniq një lojtar nga banka rezervë ka hyrë në fushë dhe e ka goditur gjyqtarin kryesor me grusht”- ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se pas këtij sulmi, gjyqtari ka kërkuar nga policia që të intervenoj ndërsa policia ka bërë edhe arrestimin e të dyshuarit.

Në lidhje me rastin është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit ndërsa i dyshuari është intervistuar.

Prokurori kujdestar ka urdhëruar që futbollisti të lirohet në procedurë të rregullt.

Gjyqtari sipas zëdhënësit të policisë ka kërkuar edhe tretman mjekësor pas sulmit që pësoi.

Trajtimi mjekësor u bë në Qendrën e Mjekësisë Familjare.