Ilustrim Foto: KALLXO.com

Arrestohen shtatë persona, gjashtë nga ta të dyshuar për disa raste të grabitjeve të armatosura

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar sot gjashtë persona të dyshuar për disa raste të grabitjeve të armatosura dhe një të dyshuar tjetër për armëmbajtje pa leje.

Të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në së paku pesë raste të grabitjeve, të cilat kanë ndodhur në periudhën korrik -shtator 2022, kryesisht në pompa derivatesh.

Sipas Policisë, operacionet janë realizuar në tri lokacione të ndryshme, në zonën e Lipjanit dhe Drenasit.

Pjesë e operacionit ka qenë edhe kontrolli i vendbanimeve të tyre, me ç’rast policia ka gjetur dhe sekuestruar: një armë zjarri AK 47, një Pistolete TT, tre karikatorë, 48 fishekë, 30 paketime te vogla substancë e dyshuar narkotike (dyshohet marihuanë) etj.

Policia ka njoftuar se për armëmbajtje pa leje, policia ka arrestuar një person M.D., i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa personat V. Sh, mashkull, 21 vjeç, E. Sh, mashkull, 19 vjeç, B. M, mashkull, 19 vjeç, F. Sh, mashkull, 18 vjeç, Z. A, mashkull, 18 vjeç dhe L. D, mashkull, 18 vjeç me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Të njëjti dyshohet se janë të përfshirë  në veprat, grabitje e armatosur, grabitje në tentativë, mbajtje në pronësi kontroll ose posedim i paautorizuar i armës,  përdorimi i armës si  dhe posedim ilegal i substancave narkotike.