Ilustrim

Arrestohen personat e dyshuar për ‘vrasje në tentativë’

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë” dhe “pjesëmarrje në rrahje”.

Të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes, ditën kur kishte ndodhur rasti.

Sipas policisë, më 22 dhjetor në një lokal në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, katër persona ishin lënduar nga mjetet e mprehta dhe të gjithë kishin kërkuar ndihmë mjekësore.

“Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje, aty është informuar se katër (4) persona të lënduar nga mjetet e mprehta janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, ndërsa njëri nga të lënduarit për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar ne QKUK-Prishtinë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Me qenë se të dyshuarit kishin ikur nga vendi i ngjarjes, policia më 3 janar të këtij viti kishte arrestuar dy personat e dyshuar.

“Pas një pune intensive të Policisë, me datë 03.01.2022 rreth orës 23:00, është arritur vendndodhja e dy (2) personave të dyshuar, të cilët janë arrestuar nga Policia”, thuhet në komunikatë.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit, iu është caktuar masa e ndalimit Policor prej 48 orësh.