Armend Zemaj takohet me Bordin Këshilldhënës kundër COVID-19, flasin edhe për fillimin e mësimit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot ka zhvilluar takim me anëtarët e Bordit Këshilldhënës për Luftën Kundër COVID-19 për të analizuar gjendjen  e krijuar nga virusi corona dhe hapat e mëtutjeshëm.

“ Në takimin me anëtarët e Bordit Këshillëdhënës për Luftën Kundër Covid19, me prof. Dr. Lul Rakën kryesues, analizuam gjendjen e krijuar nga pandemia, u prezantuan faktet shkencore, opinionet dhe propozimet se si të reagohet në javët në vijim për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e virusit”, ka thënë ai.

Zemaj përmes një postimi në Faceook ka thënë se gjatë këtij takimi janë përmendur pothuajse të gjitha fushat e prekura nga coronavirusi.

“ Jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, andaj të gjitha vendimet tona do të jenë të bazuara sipas këshillave të profesionistëve. Në takim folëm hollësisht për sfidat me të cilat po përballemi, shtrirjen komunitare të COVID-19, numrin e të infektuarve, mbingarkesat spitalore dhe të personelit shëndetësor, infeksionet brenda spitalore dhe brenda koorporatave e agjensionëve të ndryshme, presionet nga sektori i ekonomisë, etj”, thuhet në postimin e Zemajt

Ministri Zemaj shtoi gjithashtu se bordi ka ofruar disa rekomandime për zvogëlimin e pasojave nga pandemia.