Arijeta Rexhepi - Deputete, LVV

Arijeta Rexhepi: Me Projektligjin e ri, koeficienti i pagave do jetë shumë më i mirë

Arijeta Rexhepi, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se është e arsyeshme që Qeveria ka kërkuar kohë për Ligjin e ri për pagat.

Ajo në emisionin ‘Kallxo Përnime’ potencoi se me Projektligjin e ri koeficienti i pagave do jetë shumë më i mirë.

“Përderisa është premtuar se do vijë një ligj më i mirë për pagat dhe Qeveria ka kërkuar kohë, kjo është e arsyeshme. Ai Ligj tani ka ardhur dhe është në diskutim publik. Nga SBASHK-u e kuptova sot në takim që ende nuk e kanë parë Ligjin se ku janë me koeficient. Unë i kam analizuar pak a shumë, te pjesa më i ndjeshme e ciklit 1-5. Në Projektligjin e kaluar ka qenë me një koeficient shumë më të ulët e tani është shumë më mirë”- tha ajo.

Sipas saj, vlera e koeficientit varet prej buxhetit vjetor.

Ajo theksoi se ky Ligj nuk po mbahet i fshehur por meqë nuk hyn në fuqi këtë vit, nuk është treguar publikisht.

“Sa kam parë prej mediave vlera e koeficientit ka qenë  120 euro. Ky ligj nuk hyn në fuqi këtë vit dhe nuk tregohet ende publikisht. Pra, nuk po mbahet i fshehur”- shtoi më tej deputetja Rexhepi.

Edhe kryeministri Albin Kurti  ka thënë se Projektligji i ri për pagat, mësimdhënësit i trajton shumë më mirë sesa janë trajtuar deri më tani.

Instituti Edguard publikon pagat me rritje të mësimdhënësve sipas Projektligjit të ri