Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arben Vitia flet për shtyrjen e zgjedhjeve lokale

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

I pyetur në konferencë, Vitia thotë se një vendim i tillë mund të merret me propozim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe ekspertëve të tjerë.

“Natyrisht ashtu siç kam thënë edhe më herët, ky është një vendim që do të merret nga rekomandimet e IKSHPK-së dhe çdo rekomandim i tyre do të diskutohet dhe respektohet”, tha Vitia.

Ministri Vitia është pyetur edhe nëse do të shkurtohet fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ç’rast tha që ende nuk kanë marrë rekomandim nga IKSHPK.

“Në analizat epidemiologjike dhe në rekomandimet e IKSHPK-së natyrisht rekomandohet që të evitohet çdo grumbullim i qytetarëve në momentin që jemi janë disa masa të marra nga qeveria dhe që duhet respektuar, dhe për çështjen specifike, besoj që në momentin e parë kur kërkohet një rekomandim për zgjedhje ose shkurtim të fushatës instituti në bazë të situatës do të japë këtë rekomandim”, tha Vitia.

Para pak ditësh, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e bëri publik, siç tha ai, mendimin e tij personal, që zgjedhjet duhet të shtyhen.

Në anën tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kërkuar që të mos shtyhen zgjedhjet.

Abdixhiku i reagon Konjufcës: Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet