Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku i reagon Konjufcës: Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha mbrëmë në T7, se ai personalisht mendon që është mirë të shtyhet data e zgjedhjeve.

Por kësaj deklarate i ka reaguar sot kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, shtyrja e zgjedhjeve është e pa precendentë, jodemokratike e ngulfatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar.

“Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se propozimi i tij për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigje nga kryetari i partisë së parë.

“Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë”, tha ai.

“Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”, tha ai.

Abdixhiku, ka ftuar gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediat e botën akademike “të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij”.

Glauk Konjufca mbrëmë në një emision televiziv, tha se pajtohet me adresimet e Abdixhikut dhe të liderit të PDK-së Memli Krasniqi sa i përket zgjedhjeve dhe fushatës zgjedhore.

“Unë pajtohem plotësisht me këtë qëndrim që fushata zgjedhore jo vetëm që duhet të shkurtohet por edhe të hiqet krejt për shkak të pandemisë”, tha ai.

Konjufca tha se mendimi i tij është për shtyrje e zgjedhjeve shkaku i situatës me pandeminë.

“Nëse unë do ta thosha mendimin tim personal mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin, por këtë duhet ta thotë Instituti i Shëndetit Publik”, tha Konjufca.